E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr në mbledhjen e PD-së së Lezhës, Fatos Beja u “bindet “ të fortëve dhe jo statutit



Ka nisur sërish e tensionuar mbledhja e Kryesisë së PD-së së Lezhës. Edhe mbledhja e parë, para pak ditësh, për shkak të përplasjes së grupeve rivale brenda kësaj strukture, u shty. Kjo tregoi se përplasjet në strukturat e Partisë Demokratike në Lezhë nuk kanë mbaruar. Mbledhja e kryesisë së kësaj partie ka nisur tri orë me vonesë dhe janë dashur kompromise të shumta për të arritur deri në përfundimin e saj. I deleguari i Kryesisë së PD-së, Fatos Beja, është kërcënuar nga disa mbështetës dhe përkrahës të deputetit Preç Zogaj. Pas shumë negociatash në zyrën e kryetarit të Këshillit të Qarkut të Lezhës, një grup përkrahësish të deputetit Zogaj kanë kërkuar me forcë për të marrë pjesë në mbledhjen e kryesisë së Partisë Demokratike në Lezhë që do të kryhej në kuadër të zgjedhjeve brenda kësaj force politike. Gjahu i radhës i këtyre individëve ka qenë edhe ministri i Arsimit Fatos Beja, i cili përfundimisht nuk ka mundur të pengojë deportimin e këtyre përkrahësve në këtë mbledhje të rëndësishme. Arsyet për të qenë prezent në këtë mbledhje janë ato të theksuara edhe më parë nga degët e kësaj partie në Lezhë, që, sipas tyre, deputeti është më shumë i interesuar për të krijuar struktura paralele. Kjo është parë qartë edhe në mbledhjen e radhës të Kryesisë së PD-së në Lezhë, ku kanë qenë të pranishëm edhe persona të tjerë jashtë kësaj force politike. Grupi i punës, i kryesuar nga ministri Fatos Beja, nuk ka mundur të pengojë hyrjen në sallën e këshillit të qarkut të shumë simpatizanëve të deputetit Zogaj. Të pranishëm kanë qenë edhe deputetët Gjok Vuksani, Aldo Bumçi, të cilët kanë parë pas krahëve të tyre kundërshtarin e tyre politik, Salvador Kaçaj, të pranishëm në sallën e mbledhjes. Ky veprim është konsideruar si i papërgjegjshëm nga disa pjesëtarë të Kryesisë së PD-së. Fryrja e të pranishmëve në këtë sallë ka nxitur sharjet dhe fyerjet midis këtyre individëve dhe kryetarit të grupit Fatos Beja dhe deputetit Aldo Bumçi. Gjatë këtyre debateve, deputeti Bumçi i ka kërkuar kryetarit të grupit Fatos Beja që t’i kërkojë deputetit Zogaj të largojë përkrahësit e tij që më pas të zhvillohej mbledhja, e cila, sipas tij, ishte mjaft e rëndësishme. Përplasjet që ka e djathta në Lezhë janë vënë re edhe nga një ftohje që kanë dy kryetarët e nëndegëve të PD-së, të cilët nuk kanë shkëmbyer asnjë dialog pune me deputetin Zogaj. Pas këtyre tensioneve dhe mungesës së mundësisë për të larguar nga salla personat “non grata”, kryetari i grupit të punës Fatos Beja ka kërkuar të ulen tonet që të diskutohej dhe zgjidhja e këtyre problemeve.

23 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›