E Shtunë, 31 Tetor 2026

I bie dega e një peme, vdes emigranti në SHBA

Aksidenti Po kalonte në parkun qendror në Brooklyn, teksa kthehej nga puna

Një shqiptar është vrarë nga rrëzimi i një peme në parkun qendror në Brooklyn të SHBA-së. Viktima është emigranti shqiptar, Elmaz Qyra, 47 vjeç. Ngjarja ndodhi të enjten, ndërsa është bërë publike dje nga media amerikane, e cila ka intervistuar të afërmit e emigrantit shqiptar. Emigranti Elmaz Qyra humbi jetën pasi një degë peme rreth 20 metra e gjatë u shkëput nga trungu si pasojë e rëndesës së borës dhe e zuri poshtë, ndërsa 47-vjeçari po lëvizte në rrugë. Një emigrant shqiptar ka thënë se Qyra solli familjen e tij në Nju Jork dhjetë vjet më parë dhe më pas u punësua dhe banonte aty. “Unë ndjeva aq keq dje, kur kam dëgjuar lajmin”, tha Lavdrim Qoku, 51 vjeç, duke shtuar se Elmaz Qyra ishte një njeri shumë i mirë. Kolegët e viktimës në kompaninë e autobusëve, ku ai punonte, thanë se shpeshherë 47-vjeçari kthehej në shtëpi duke kaluar në Central Park në këmbë, aty ku në fakt edhe gjeti vdekjen, pasi dega e madhe e pemës e goditi. Ngjarja ka tronditur jo vetëm familjen e emigrantit, por edhe komunitetin. Fqinjët thonë se viktima kalonte shumë kohë me të afërmit e tij, të cilët i vlerësonte pamasë. Djali 14-vjeçar i emigrantit, Kleo, nuk ka shumë për të deklaruar. “Dua të them se e dua babin tim”, shprehet ai. Sipas autoriteteve, stuhitë e ashpra të erës dhe bora kanë përmbysur më shumë se 26 pemë në parkun qendror. Në të njëjtën ditë më vdekjen e shqiptarit një pemë tjetër goditi një autobus çka i detyroi zyrtarët ta mbyllin rrugën përkohësisht.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›