Nga Gërdeci tek Aldo Bare
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka ngritur e para shqetësimin për shtyrjen e seancave gjyqësore për shkak të mungesës së avokatëve. Në një deklaratë për shtyp, kjo gjykatë e cilësonte si pjesë të plotësimit të saj ligjor për të garantuar një gjykim të drejtë e transparent këtë kërkesë. Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë një ndër rastet me shtyrjen më të përsëritur të avokatëve gjatë seancës ka qenë edhe ajo e çështjes “Gërdeci”. Në fillim të gjyqit, disa herë radhazi procesi gjyqësor ndaj të pandehurve të kësaj çështje nuk ka mundur të nisë për shkak të mungesës së avokatëve duke e shtyrë këtë çështje pafundësisht. Gjykata që është prekur më së shumti nga shtyrja e gjyqeve është Gjykata e Krimeve të Rënda. Kjo gjykatë e ka pasur të pamundur së fundi që të hapë shqyrtimin gjyqësor ndaj të pandehurit Dritan Dajti. Avokati ka ngritur disa herë shqetësimin se nuk takohet me klientin dhe ky i fundit nuk pranon të paraqitet në gjyq. Paralelisht, kjo gjykatë po vuan mungesën e avokatëve edhe në procesin gjyqësor ndaj të pandehurve të organizatave kriminale të Durrësit, të kryesuara nga Lul Berisha dhe Indrit Dokle. Kjo çështje është në gjykim prej dy vjetësh dhe ende nuk ka përfunduar dëshminë i penduari Adriatik Coli, i cili është dëshmitari i parë. Ndërkohë, një tjetër çështje që po shtyhet është edhe çështja e ashtuquajtur Remzi Hoxha, si dhe proceset e Masakrës së Cërrikut dhe Qafë-Gjashtës. Ndërkohë, bandat e Lushnjës po gjykohen në këtë gjykatë në tre procese të ndryshme, ndërsa kreu i saj, Aldo Bare, megjithëse është ekstraduar nuk ka dëgjuar ende akuzat e prokurorisë.
#