Shtëpia rrezikon të shembet, familjarët kërkojnë ndihmë
Jetesa e vështirë e familjes Kono, e cila jeton me frikën e shembjes së mundshme të shtëpisë që mund t’i zërë brenda
Gjirokastër Shirat e rrëmbyeshëm të këtyre ditëve kanë rrënuar edhe më banesën e gurtë trekatëshe që ndodhet në pjesën e poshtme të lagjes ‘Pazari i Vjetër’, në qytetin e Gjirokastrës. Edhe këtë vjeshtë të gjashtë pjesëtarët e familjes Kono po kalojnë ditë të vështira. Vitet e fundit kjo familje ka gjetur strehë në një banesë të gurtë gjysmë të rrënuar në lagjen ‘Pazari i Vjetër’. Shiu i radhës sapo ka përfunduar dhe Ollga, gruaja e familjes, ka nxjerrë në oborrin e shtëpisë pjesën më të madhe të teshave dhe orendive shtëpiake për t’u tharë disi nën rrezet e pakta të diellit dimëror. “Pas çdo shiu, këtë hall kemi, thotë gruaja, ndërkohë që nder në telat e oborrit teshat e shtëpisë. “Gjithçka që bie jashtë hyn brenda nga çatia dhe muret gjysmë të rrënuara, çka bën që shtëpia të përmbytet nga uji dhe lagështia”, thotë ajo. Me të ardhurat e pakta që sigurojnë nga puna e kryefamiljarit të shtëpisë, Aleksit, familja Kono e ka të pamundur blerjen e një shtëpie të re. “Për vite të tëra kemi kërkuar një banesë, por deri tani nuk është bërë asgjë”, thotë Ollga. Prej vitesh ajo nuk ka mundur të sigurojë dot një punë. “Shtëpia dhe fëmijët duan lekë që të mbahen, jeta është bërë e shtrenjtë dhe nuk mund të përballohet vetëm me ato lekë që nxjerr Aleksi nga puna në ndërtim”. Në këto kushte të dy bashkëshortët me vështirësi vazhdojnë të rrisin gjashtë fëmijët e familjes. Në mjediset e brendshme të shtëpisë Aleksi po mundohet të rregulloje disi shkallët e drunjta. Shiu i radhës i ka kalbur edhe më shkallaret, duke bërë që një pjesë e tyre të shkatërrohen. “Më vjen keq për fëmijët, pasi mund të rrëzohen në këto shkallë,” thotë ai, ndërsa me çekan godet plot nervozizëm gozhdët. Nga dhomat e brendshme të shtëpisë dëgjohen të qarat e fëmijëve të vegjël, ndërsa kërkojnë që prindërit t’i hedhin dru zjarrit të sobës që është duke u venitur. Dielli i shkurtër i vjeshtës ka filluar të fshihet pas reve të zeza që mbulojnë sërish qiellin. Ollga mbledh nxitimthi teshat dhe orenditë e shtëpisë në oborr, ndërsa Aleksi ankohet se do të humbasë edhe një ditë tjetër të punës. Shiu që po afrohet tregon se “pushimet” e tij do të jenë të gjata.
Bledar Shehu