Berisha: Rama të kërkojë falje për krimet e komunizmit
Kryeministri Berisha i kërkoi dje publikisht kreut të PS-së, Edi Rama të kërkojë falje pse nuk pranon të dënojë krimet e komunizmit. Duke folur nga qyteti i Shkodrës, ku mori pjesë në një tur inaugurimesh, kreu i qeverisë theksoi se “unë sot shfrytëzoj këtë moment për t`i bërë thirrje zotit Edi Rama t`i kërkojë të falur Shkodrës sepse nuk pranon të dënojë krimet kundër njerëzimit që sistemi barbar komunist ka kryer në mbarë vendin në tërësi, por në Shkodër në veçanti. Zoti Rama ato krime janë shekuj dhe mijëvjeçarë jetë dhe rini të këputura, ato krime janë tortura çnjerëzore të qindra e qindra qytetarë të këtij qyteti! Z. Rama ato krime janë arrestime, internimet e qindra e mijëra grave dhe fëmijëve të këtij qyteti martir”. Sipas tij, në vitin 1990 kreu aktual i opozitës formoi partinë Kristian Islamike, e cila kishte në qendër të programit të saj pikërisht dënimin e krimeve të komunizmit. Ndërkohë që sipas tij, opozita votoi kundër ligjit të dosjeve që u miratua në fund të vitit të kaluar. “Unë të shtroj pyetjen: Si ka mundësi ti që në vitet `90 erdhe në këtë qytet dhe themelove partinë opozitare të KIS-it, parti e cila fund e krye si platformë kishte dënimin e sistemit komunist. Pra çfarë ndodhi me ty? Eja në Shkodër e kërko të falur, bashkohu me dënimin e krimeve monstruoze të komunizmit”, vijoi më tej Berisha. Sipas tij “do të dal nga gjuha zyrtare në këtë moment dhe dua të them se në rast se edhe ti nuk je i mjeruar, pra me vrimë që në rini, ashtu siç po thonë dëno krimet kundër komunizmit, përndryshe do më bësh të besoj se je i tredhur në rininë tënde dhe ky s`është faji im”.