E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët e rikthyer: Uji na ka dëmtuar shtëpitë

 Një pjesë e mirë e banorëve të lagjes “Ajasëm” në qytetin e Shkodrës, të cilët pak ditë më parë u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre për arsye të përmbytjeve tashmë janë rikthyer në to. Por dëmi që u është shkaktuar nga vërshimet e lumit Kir dhe Drin është tejet i madh. E jo vetëm kaq, por me këtë që ndodhi këto ditë këta banorë janë tejet të frikësuar dhe të shqetësuar, saqë ata shprehen se nëse do të kenë mundësi ta ndërtonin shtëpinë nga e para, ata shprehen të sigurt se nuk do e ndërtonin më në këtë vend. Xhelal Zusi, banor i vjetër i lagjes “Ajasëm” thotë se ka rreth 20 vjet që e ka ndërtuar shtëpinë e re. “Edhe pse unë u mundova të marr masa duke e ngritur xokolaturën 1 metër, duke marrë për bazë nivelin e ujit që ka arritur në këtë zonë më 1973, ngjarjet e ditëve të fundit treguan se nuk i kisha bërë mirë llogaritë. Këto ditë niveli i ujit i kaloi 1 metër te banesa e ime, duke hyrë brenda dhe duke dëmtuar rëndë pajisjet elektroshtëpiake që ka një familje. Ne që jetojmë këtu e dimë mirë se po u hyri lagështira mureve të banesës ajo do të thërrmohet nga viti në vit, pa llogaritur që është e dëmshme për shëndetin e njerëzve që të banojnë në të”. I pikëlluar për atë që i ka ndodhur, Zusi shprehet se nuk ka mundësi të ndërtojë më shtëpi se po ta kishte këtë mundësi ndoshta do e rishikonte zgjedhjen e vendit, duke u transferuar në ndonjë vend tjetër. “Uji është i pabesë. Nga frika që kemi marrë kësaj radhe e kemi tepër të vështirë që të vendosim për qëndrimin në të ardhmen në këtë vend”, thotë kryefamiljari. Edhe pse për të është tejet e vështirë, pasi ai lindi dhe u rrit në këtë lagje, ndërsa tashmë kushtet ekonomike e bëjnë të pamundur zhvendosjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›