Përmbytja, në Obot me varka dhe pas pesë ditësh me diell
SHKODER/ RITVAN DIBRAVarkat nuk kanë dalë nga përdorimi në zonat e përmbytura të Shkodrës. Ditët e zymta nuk kanë përfunduar për banorët e disa prej fshatrave, një prej të cilëve është Oboti. Sërish banorët e këtij fshati, pjesë e komunës Ana e Malit janë të izoluar nga uji. Edhe pse niveli i tij ka rënë dukshëm gjatë ditëve të fundit, sërish lëvizja e banorëve si dhe furnizimi i tyre bëhet me anë të varkave të ushtrisë, policisë apo dhe të vetë banorëve. Kjo, pasi niveli i ujit vazhdon të jetë në atë lartësi që të mos lejojë qarkullimin e mjeteve të tjera, qoftë edhe të kamionëve të ushtrisë, për shkak të pranisë së lartë të nivelit të ujit. Niveli i lartë i ujit në këtë zonë është i kushtëzuar nga pozicioni gjeografik ku është ndërtuar fshati Obot, fare pranë shtratit të lumit Buna. Për këtë janë të ndërgjegjshëm edhe vetë banorët që në momentin kur refuzuan të jetojnë në shtëpitë e reja të ndërtuara në vitet ’80, rrëzë malit të Taraboshit në zonën e Oblikës. Tani atyre u duhet të presin uljen e mëtejshme të nivelit të ujit për të bërë të mundur një komunikim në rrugë tokësore me komunën Ana e Malit dhe më gjerë. Megjithëse situata e tokave nën ujë ka filluar të përmirësohet, sërish disa nga rrugët nacionale vazhdojnë të kenë probleme me qarkullimin. Kështu zona e Velipojës në të dy drejtimet e saj si nga rruga e Trushit, ashtu edhe nga Benti, kalohet vetëm me mjete të larta, kryesisht të ushtrisë. Po kështu edhe zona e Dajçit, në rrugën hyrëse të saj nga rruga e Velipojës paraqet vështirësi për shkak të pranisë së ujit në një gjatësi rreth 1 km, ndërkohë që në brendësi të komunës së Velipojës dhe të Dajçit situata është e përmirësuar. Në brendësi të këtyre komunave lëvizet lirisht me çdo lloj automjeti dhe jetesa në to zona duket se është drejt normalizimit. Gjatë këtyre tre ditëve të fundit furnizimi me bazë ushqimore, si për njerëzit ashtu edhe për bagëtitë është bërë në rrugë tokësore nga karvanet e mjeteve ushtarake. Por sërish mungesa e ujit të pijshëm dhe për nevoja personale si dhe prania e kafshëve të ngordhura, mund të jetë një nga problemet me të cilat duhet të përballen banorët e këtyre zonave. Madje një shqetësim të tillë e bëri të ditur edhe kryeministri Berisha, i cili pasditen e djeshme mori pjesë në mbledhjen e Komitetit Ndërministror dhe të shtabit të emergjencave në Shkodër. Sipas Berishës vëmendja e qeverisë tani duhet të përqendrohet në periudhën post-përmbytje, veçanërisht për higjienizimin. Krahas furnizimit me ujë të pijshëm, në zonat e përmbytura duhet, sipas kryeministrit, të ndërtohen rezervuare uji, të cilat do të furnizohen me bote që të shërbejnë për higjienën e këtyre banorëve. Njëkohësisht do të merren masa për klorifikimin e puseve si dhe vendosjen e tabelave për të mos përdorur ujin e puseve nga banorët e këtyre zonave deri në një urdhër të dytë, me qëllim eliminimin e përhapjes së sëmundjeve të ndryshme infektive. Aktualisht, një pjesë e mirë e të evakuuarve gjatë ditëve të përmbytjes masive janë kthyer në shtëpi, ndërsa të tjerë po presin që uji të largohet plotësisht, për të mos pasur probleme pas rivendosjes nëpër banesa. Akset problematike
Shkodër-Velipojë, i kalueshëm vetëm me kamionë të lartë
Velipojë-Kthesa e Dajçit, i kalueshëm vetëm me kamionë të lartë
Bushat-Mali i Jushit kalohet me automjete të larta
zonat Nën ujëFshati Obot-Komuna Ana e Malit