Gjenden të pakyçura qelitë e dy të dënuarve përjetë
BURREL/ HASAN PASHATre gardianë të Burgut të Sigurisë së Lartë Burrel janë propozuar dy ditë më parë për largim nga detyra se kanë shkelur rregullat e sigurisë në mjediset e brendshme të Burgut të Burrelit. Burime të brendshme të këtij institucioni treguan se tre net më parë, në orët e vona të natës, atëherë kur specialistë të drejtorisë së burgut kanë ushtruar kontroll në sektorin B, kanë gjetur të hapura njëkohësisht dy dyer të dhomave, ku ndodhen të dënuar përjetë. Ky veprim, sipas rregullores së këtij institucioni bie ndesh me ligjin. "Kemi mësuar se sapo është konstatuar kjo shkelje është mbajtur një proces-verbal nga ana e zyrtarëve të burgut dhe për ngjarjen në fjalë është njoftuar menjëherë edhe drejtori i këtij burgu, Shkëlqim Gjoçuka. Drejtues të policisë së burgut panë nga afër sesi dy dyer të të dënuarve për vepra të rënda penale qëndronin të hapura, duke krijuar precedentë të rrezikshëm për këtë burg, deri në arratisjen e të dënuarve", sqaruan burime të sigurta informacioni. N.Koxhuku, S.Kola dhe A.Kadiu, punonjës të sigurisë së brendshme në burgun e Burrelit i janë propozuar drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve për masë konkrete. Drejtoria e burgut të Burrelit i ka kërkuar numrit një të burgjeve lirimin e tyre nga detyra për shkelje të rregullave të sigurisë. Në shkresën dërguar titullarit të burgjeve thuhet se të tre punonjësit e rendit në këtë burg, kanë shkelur rregulloren duke lënë të hapura njëkohësisht dy dyer në seksionin ku vuajnë dënimin persona me precedentë të rëndë penalë. Pjesa më e madhe e tyre janë të dënuar përjetë, konkretisht 30 prej të dënuarve. Drejtoria e burgut të Burrelit i kujton kreut të Burgjeve, Gazmend Dibra, situatën e krijuar më 5 prill të vitit 2008, kur për shkak të shkeljeve të rregullave të brendshme u realizua arratisja e dy të dënuarve me burgim të përjetshëm, Preng Lleshi dhe Fran Marashi. Edhe punonjësit e gjetur me shkelje janë informuar në lidhje me propozimin e bërë, por ata vijojnë ende punën, ndërsa specialistë të DPB-së po merren me zbardhjen e plotë të ngjarjes, për të kuptuar nëse ishte një pakujdesi e tre gardianëve apo ka pasur sërish tentativë arratisjeje nga ky burg. Nuk bëhet ende e qartë sa do të zgjasë hetimi dhe zbardhja e të vërtetës dhe fati i tre punonjësve të sigurisë nuk dihet ende. As emrat e të dënuarve, dhomat e të cilëve u gjetën të hapura nuk bëhet publike. Gardianët janë shprehur se asgjë nuk është e qëllimshme dhe se nuk duhet të lirohen nga detyra, pasi të gjitha shërbimet e tjera kanë qenë në gatishmëri të plotë.