Linja Koman-Fierzë, mjetet lundruese jashtë kushteve
SHKODER/ RIDVAN DIBRA
Mjetet ujore që lundrojnë në kaskadën e lumit Drin janë jashtë rregullave teknike. I gjithë qarkullimi i udhëtarëve, kryesisht në linjën Koman-Fierzë është shqetësues. Dhe një herë, Prefektura e Shkodrës ka ngritur këtë problem, në mbledhjen e djeshme të Shtabit të Emergjencave. "Fatkeqësisht konstatojmë se institucionet përkatëse nuk po ushtrojnë kompetencat që u jep ligji në lidhje me bllokimin e mjeteve që qarkullojnë në kaskadën e lumit Drin në mënyrë të kundraligjshme. Po nuk ndërhymë në kohë rrezikohemi të përballemi me fatkeqësi të padëshirueshme", ka qenë pohimi i Prefektit të qarkut Shkodër, Maxhid Cungu, bërë gjatë një takimi pune në lidhje me Emergjencat Civile në qarkun e Shkodrës. Në këtë takim është analizuar situata e të gjithë qarkut në raste emergjencash, si dhe marrjen e masave të duhura nga institucionet përkatëse. Por, ashtu si dhe një vit më parë, Cungu jep të njëjtin alarm, megjithatë asgjë e re nuk ka ndryshuar për këtë çështje. Edhe ditën e djeshme është diskutuar nga të pranishmit në takim siguria në lëvizjen e mjeteve të transportit ujor. Në takimet e kaluara u përmend fakti se është e papranueshme që mjete të tilla transporti për pasagjerë të kenë 16 vite pa u kolauduar. Të ndodhur para një situate të tillë, sipas prefektit duhet që urgjentisht të merren masat përkatëse për parandalimin e saj. "Ka ardhur koha që organet kompetente të veprojnë konkretisht dhe të mos mbesin vetëm në kuadër të konstatimeve", deklaroi prefekti Cungu. Ai theksoi se është nevojë imediate që të organizohet një tryezë e rrumbullakët për të analizuar veprimtarinë dhe kompetencat ligjore, si dhe përgjegjësitë e institucioneve të tilla, si: Drejtoria e Transportit Ujor, njësitë vendore të Vaut të Dejës dhe të Komanit, dega e Tatim-Taksave në bashkëpunim edhe me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Shkodër. Në kaskadën e lumit Drin veprojnë 4 mjete transportuese, tragete si dhe 3 anije e 15 varka, të cilat kryejnë transportin nëpër liqenet e Komanit dhe të Vaut të Dejës. Vlen të përmendet këtu se nëpërmjet një transporti të tillë lëvizin banorët e Tropojës, si dhe të zonave të Gjakovës, Kosovë, me qëllim depërtimin në brendësi të vendit, pa harruar këtu dhe qarkullimin e një sërë mjetesh transporti të mallrave për banorët e këtyre zonave, si dhe të shkëmbimeve tregtare. Por fatkeqësisht është konstatuar se ato mjete transporti, jo vetëm që kanë 16 vite pa u kolauduar, pasi më i fundit daton në vitin 1993, por një pjesë e mirë e tyre nuk kanë as licencat e nevojshme për të kryer shërbime të tilla, siç janë transporti i udhëtarëve apo dhe i mjeteve.