Shkodër, studentët në protestë për rregulloren
SHKODER - Dy ditë pas fillimit të vitit të ri akademik në Universitetin e Shkodrës "Luigj Gurakuqi", studentët hidhen në protesta në lidhje me rregulloren e sapomiratuar. Kanë qenë studentët e Fakultetit të Ekonomisë dhe të Histori-Gjeografisë, që paraditen e djeshme protestuan para rektoratit për një ndryshim të rregullores së brendshme të universitetit nga senati. Gjithçka lidhet me mënyrën sesi janë llogaritur pikët e kredive, që studentët duhet të plotësojnë për të kaluar vitin. Mungesa e informacionit nga ana e studentëve dhe ndryshimet e ndodhura për shkak të zbatimit të Kartës së Bolonjës, kanë çuar në një situatë të tillë. Në Shkodër ka shumë studentë të cilët kanë ardhur për të filluar vitin e ri akademik, ndërkohë që u është thënë se kanë kaluar në stazh, pasi nuk kanë plotësuar 30 pikët e krediteve. Nga ana tjetër studentët ngulin këmbë se ndaj tyre po bëhet padrejtësi, pasi i kanë pikët e nevojshme. Sipas studentëve, rregullorja e re është bërë e ditur vetëm 4 ditë para fillimit të vitit të ri akademik. Deri një vit më parë studentët me anë të provimeve merrnin dhe pikët e krediteve, (një lëndë kishte një provim). Sivjet, me hyrjen në fuqi të Kartës së Bolonjës, ka pasur lëndë që më parë kanë qenë provime dhe që janë shndërruar në module. Janë bërë bashkime lëndësh, tashmë module, dhe studenti nuk merr asnjë pikë krediti, nëse nuk i shlyen të gjitha modulet që janë vendosur brenda një lënde apo brenda një provimi. Pas protestës, zv.rektori i Shkodrës, prof.as.dr. Fatmir Vadahi, bëri një deklaratë për shtyp. Ai ka sqaruar arsyet pse ka ndodhur ky problem, ndonëse jep shpresa se do të diskutohet me dekanët për të rishikuar dhe një herë pikën e rregullores që u rrezikon vitin studentëve. r.d