E Shtunë, 31 Tetor 2026

Del Piero: Prisni mrekullinë e dytë

 

Kapiteni i Juventusit, Alesandro Del Piero, i ka kushtuar shumë rëndësi aspektit psikologjik para sfidës me Bajernin e Mynihut, e rëndësishme për kualifikimin në 1/8-at e Ligës së Kampioneve. “Duhet të zbresim në fushë me të njëjtën ndjesi dhe grintë si në ndeshjen e fundit kundër Interit, sepse kjo është një përballje akoma më e rëndësishme. Ne jemi të vetëdijshëm për këtë gjë, prandaj do kërkojmë vetëm fitoren”, - deklaroi në konferencën për shtyp numri “10” i bardhezinjve. Aleks shpreson që fitorja e arritur ndaj zikaltërve në fundjavë, të jetë një shtysë e fortë morale për skuadrën dhe një stimul më shumë për të vazhduar serinë e rezultateve pozitive. “Ky është momenti ynë. Duhet të vazhdojmë të fitojmë, sepse nuk kemi zgjidhje tjetër. Nuk duhet ta lëmë përgjysmë rrugën e nisur”, - theksoi ai. Del Piero ka pranuar se për ta nuk është e lehtë që të përballojnë dy ndeshje të një rëndësie të tillë, në një afat kohor prej tri ditësh: “Të luash kundër Interit dhe pas tri ditësh kundër Bajernit të Mynihut, është diçka e vështirë dhe e lodhshme, si fizikisht, ashtu edhe moralisht. Gjithsesi, jemi të detyruar të përqendrohemi maksimalisht vetëm te kundërshtari i radhës dhe të gjejmë mënyrën për të shprehur ashtu si duhet aftësitë tonë në fushën e lojës. Duhet të vuash e të fitosh në momentin e duhur”, - tha kapiteni i Juventusit, i cili është në balotazh me Kamoranezin për të nisur ndeshjen si titullar. Megjithatë, ai deklaron se u ndje mjaft mirë me Diegon në ndeshjen e fundit, kur bardhezinjtë luajtën me skemën në formë rombi. “Bashkëpunuam shumë mirë. Jam i bindur që të dy do e forcojmë akoma më shumë lidhjen në fushën e lojës. Edhe me skemën kundër Interit u përshtatëm ashtu si duhet. Tani e ka radhën Bajerni i Mynihut. Prisni mrekullinë e dytë juventine, pas asaj të kampionatit”, përfundoi deklaratën e tij Aleks Del Piero. Problemet fizike nuk e kanë lejuar që të jetë prezent në të gjitha ndeshjet e deritanishme, megjithatë ai e ka ndjekur me vëmendje ecurinë e skuadrës dhe është i gatshëm ta udhëheqë atë në fushën e lojës, i mbështetur edhe nga futbollistët që janë të destinuar të jenë të rëndësishëm, si Amauri, Diego e Felipe Melo. Në sfidën kundër Bajernit të Mynihut, bardhezinjve u mjafton edhe një barazim për të siguruar një biletë për në raundin tjetër të Ligës së Kampioneve.
Bufoni
Juventusi ka marrë lajme mjaft të këqija nga infermieria. Mbrojtësi Xhorxho Kielini do mungojë në sfidën kundër Bajernit, për shkak të një dëmtimi në kofshën e djathtë dhe do qëndrojë jashtë fushave për të paktën 20 ditë. Gjithsesi, dhembjet e kokës nuk mbarojnë me kaq për trajneri Çiro Ferrara. Në dyshim serioz është edhe portieri Xhixhi Bufon, pasi ka pasur probleme me meniskun. Mjekët ende nuk kanë nxjerrë një vendim përfundimtar, nëse do jetë i aftë të luajë ndaj klubit gjerman apo jo. Në fakt, përflitet se portieri ka nevojë për një operacion. Juventusi mund të bëjë pa dy futbollistë shumë të rëndësishëm, në një nga ndeshjet më kyçe të sezonit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›