Banorët në alarm, sërish grabitje te tregu elektrik
Duket se dyshja e grabitësve me motor e ka kthyer "tregun elektrik" në zonën e tyre të preferuar për të vjedhur me dhunë gratë që kalojnë aty. Vetëm pak ditë më parë, një nga banoret e lagjes denoncoi këtë fakt, ndërkohë që dje ka ardhur një tjetër denoncim. Ndërkaq, policia mendon se ata janë të njëjtët grabitës edhe për dy raste të tjera. Megjithatë, deri tani ende nuk është zbuluar identiteti i tyre. Sipas të dhënave të policisë, sërish në të njëjtin vend si disa ditë më parë, është shënuar një tjetër grabitje. Po sipas policisë, në Komisariatin Nr. 1, rreth orës 20:00 është paraqitur Arta A., 50 vjeçe, e cila ka denoncuar se pak ditë më parë, rreth orës 17:00, në rrugën "Mihal Grameno" dy persona që lëviznin me motor i kanë vjedhur çantën me 20 mijë lekë. Ajo ka deklaruar se e kishin shtyrë me forcë dhe pasi i kishin marrë çantën, ishin larguar me shpejtësi. Por, e njëjta grabitje ka ndodhur edhe për një tjetër grua. Policia tha se rreth orës 22:30 të datës 5 tetor, në Komisariatin Nr. 1 është paraqitur Prena N., 60 vjeçe, e cila ka denoncuar se është grabitur me dhunë nga dy persona. Sipas denoncimit të saj, në afërsi të tregut elektrik, pikërisht rreth orës së lartpërmendur, i janë afruar me një motor. Ata i kanë tërhequr çantën me forcë, e ajo pavarësisht se është munduar të mbrojë pronën e saj, ata e kanë shtyrë, e janë larguar me shpejtësi. Policia bëri të ditur se menjëherë ka nisur kërkimi për gjetjen e këtyre dy personave, por ende nuk ka rënë në gjurmët e tyre. Nga ana tjetër, policia ka shpërndarë agjentët e saj në terren, me qëllim për të rënë në gjurmët e grabitësve që janë kthyer në një shqetësim për banorët e zonës, duke sjellë frikë tek ata për të lëvizur në rrugë gjatë orëve të vona të natës.