E Diel, 1 Nëntor 2026

Lushnjë, vdes në rrethana misterioze vajza 22-vjeçare

Një 22-vjeçare nga rrethi i Lushnjës ka gjetur vdekjen pasditen e së enjtes në rrethana misterioze. Ajo ka mbërritur e vdekur në spital, ndërkohë që policia po heton në dy pista për vdekjen e saj. Njëra prej pistave është ajo e vetëhelmimit, ndërsa e dyta është vdekje natyrale, si pasojë e një goditje cerebrale.
Burimet zyrtare të Komisariatit të Policisë së Lushnjës bëjnë të ditur për gazetën "Shqip", se në orën 17.00 pranë spitalit civil të qytetit është çuar nga të afërmit 22-vjeçarja Gentiana Alkani. Burimet policore tregojnë se 22-vjeçarja Alkani është banore e fshatit Dushk, komuna me të njëjtën emër në rrethin e Lushnjës. Ndërhyrja e mjekëve ka qenë e kotë, pasi ajo nuk jepte shenja jete. I ati i vajzës, Bilbili, ka pohuar se ajo kishte 3 ditë e sëmurë dhe konsumonte shumë aspirina në ditë për dhimbjen e kokës. Mësohet se ai ka pohuar gjithashtu për policinë se gjendja e vajzës këto ditë kishte qenë paksa e çuditshme dhe se ajo, përveç ankesave për dhimbjen e kokës, ishte mbyllur në vetvete. Një ndryshim i tillë ka hedhur te familjarët dyshimin e ndonjë helmimi me dëshirë të vajzës, por nuk kanë asnjë motiv real për ta besuar këtë. Ndërkohë, mbetet autopsia çelësi i vetëm për gjetjen e shkakut të vërtetë të vdekjes së Alkanit.

Ma.Tr.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›