E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, parandalohet një vrasje për hakmarrje

Policia e Tiranës ka arritur të parandalojë rastësisht një vrasje, duke vënë në pranga autorin e dyshuar. Ngjarja është pranuar nga vetë autori, i cili fillimisht është kapur me një pistoletë në brez dhe më pas ka shpjeguar se ia kishte marrë një kushëriri për t‘u hakmarrë ndaj një personi në Berat. Burimet policore bënë të ditur se shërbimet e Komisariatit Nr. 4 mundën të parandalojnë një ngjarje kriminale, duke vendosur në pranga shtetasin Emiljano Fadil Hajdari, 18 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje. "Arrestimi i tij u krye pasi është kapur në flagrancë nga shërbimet e këtij komisariati në ambientet e spitalit ‘Nënë Tereza‘, me një armë zjarri, tip pistoletë, si edhe dy krehra me 14 fishekë, të cilat i posedonte pa leje", deklaroi zyrtarisht Drejtoria e Policisë së Tiranës. Sipas të dhënave nga grupi i punës, që u mor me hetimin e çështjes, mësohet se nga intervistimi dhe deklarimi i të arrestuarit ka rezultuar se ky person e ka siguruar armën nga një i afërm i tij, dhe kishte për synim për t‘u nisur në qytetin e Beratit, me qëllim për të vrarë me armë zjarri pas një konflikti për motive të dobëta një shtetas. Më tej ai ka shpjeguar se edhe në spital nga ai person kishte përfunduar, kështu që kishte marrë armën për t‘u hakmarrë. Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të policisë, pas informacioneve të marra që ky person ishte i armatosur, realizoi parandalimin e kësaj ngjarjeje kriminale. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua pistoleta dhe fishekët, të cilat u dërguan në laborator për ekzaminime të mëtejshme. U kryen veprimet procedurale e hetimore dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të "Mbajtjes pa leje të armeve e municioneve luftarake". Nga ana tjetër, po punohet për identifikimin dhe kapjen e të afërmit të personit të arrestuar.

Ble. Gi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›