E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabiten me armë klandestinët

Rikthen maskat në afërsi të kufirit me Greqinë. Katër persona të armatosur kanë grabitur në afërsi të fshatit Shëndëlli gjashtë të rinj, të cilët tentonin të kalonin ilegalisht kufirin me shtetin fqinj, Greqinë. Burime nga Komisariati i Policisë së Sarandës bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 15.45 e ditës së djeshme, në afërsi të fshatit Shëndëlli, 1 km larg nga Butrinti. Të njëjtat burime saktësuan se grabitja ka ndodhur nën kërcënimin e armëve dhe gjashtë shtetasve që udhëtonin në grup drejt Konispolit, për kalimin e paligjshëm të kufirit, u janë marrë të gjitha eurot që kishin me vete, si edhe aparatet e celularëve të tyre. Vetëm një orë e gjysmë pas ngjarjes, policia ka bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e njërit prej grabitësve. Ai është 23-vjeçari Armando Shabani nga Vrina e Sarandës. Ndërkohë, policia është duke kërkuar edhe bashkëpunëtorët e tjerë të tij, emrat e të cilëve nuk bëhen të njohur për arsye të hetimit. Ky është rasti i dytë që brenda pak kohësh kur klandestinët plaçkiten nga persona të armatosur dhe me maska.

Tho.Ni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›