E Shtunë, 31 Tetor 2026

Coli: Si u nda në dy grupe Banda e Durrësit

Debate, sharje dhe fyerje personale. Por, në fund një dëshmi 7-orëshe që i ka lënë të gjithë me "gojëhapur". Adriatik Coli, i penduari i Bandës së Durrësit, ka rrëfyer dje zënkat midis Indrit Dokles dhe Lul Berishës, vrasjen e Eduart Ongarit dhe ekzekutimin e Marsel Sotirit. Por jo gjithçka ka shkuar vaj për palët në proces, të cilët kanë hedhur akuza dhe kundërakuza ndaj njëri-tjetrit. Por nuk kanë munguar sharjet e fyerjet personale dhe ironitë e të pandehurve, që komentonin nën zë dëshminë e gjatë të Colit. Sipas burime brenda seancës gjyqësore, e cila është zhvilluar me dyer të mbyllura, avokatët e të pandehurve kanë tentuar që dëshmia e Colit të devijojë, ndërsa kanë pretenduar në fund të seancës se i penduari ka hequr nga përgjegjësia vetjake disa vrasje. Por, këto deklarata janë hedhur poshtë nga ana e organit të akuzës, e cila e ka quajtur dëshminë një risi në drejtësinë shqiptare, pasi Coli ka rrëfyer më shumë detaje nga sa janë në dosjen hetimore. "Dëshmia e tij është dy herë më shumë nga sa është në dosjen hetimore. Ai ka rrëfyer me detaje të gjitha ngjarjet për të cilat akuzohet banda", kanë deklaruar përfaqësuesit e organit të akuzës, ndërsa kanë hedhur poshtë se ai ka devijuar dëshminë dhe ka hequr përgjegjësinë nga vetja për disa ngjarje. Nga ana e mbrojtësve ligjorë të të pandehurve, është pretenduar se Coli ka përmendur emra të personave të tjerë si ndihmës në disa ngjarje, të cilët nuk kanë akuzë. Avokatët i janë drejtuar prokurorisë, me arsyetimin se "përse këta persona nuk janë marrë të pandehur", ndërsa reagimi i prokurorisë ka qenë se të gjithë përgjegjësit do të marrin ndëshkimin e merituar.

DËSHMIA E COLIT

Vrasja e Ed Ongarit

Një ditë gjatë verës së vitit 1999, pashë Klod Saliun që po qante. E pyeta se ç‘kishte ndodhur dhe ai më tha që kishin vrarë Ilir Xhungën dhe Arben Pajën, rreth 50 metra pa hyrë në Spitallë. Aty unë mora vesh që çunat ishin qëlluar nga Gaxhai dhe Viktor Ymeri, të shoqëruar nga Marsel Sotiri e disa të tjerë që banonin në Durrës. Të gjithë këta persona kishin qenë të strehuar te shtëpia e Eduart Ongarit. Klodi na tha të marrim armët dhe të shkojmë të qëllojmë Gaxhain, ku të jetë, por nuk e la Luli. Pas kësaj ngjarjeje u arrestua Gaxhai dhe ujërat u qetësuan. Gjatë takimeve tona ne po bisedonim se kë do të vrisnim më pas. Në këtë kohë çunat vendosën që të vrisnim Ed Ongarin, pasi ishte ai që kishte strehuar vrasësit e Ilir Xhungës e Arben Pajës në shtëpinë e tij. Ka qenë korrik i vitit 1999, unë shkova në shtëpinë e Lulit dhe gjeta Jul Meçen. Aty ishte dhe Plarenti. Luli na tha të merrnim dy armët "Skorpions" dhe një kallash që e kisha mbrapa në bagazh, si dhe një paruke të kuqe e t‘i çonim te shtëpia ime se do t‘i binim Edit bashkë me Jul Meçen. Luli hipi në timon, Klodi në vend të parë, kurse unë me Indritin u ulëm mbrapa. Në atë moment, Luli vuri parukën e kuqe, ndërsa Klodi vendosi kapelen dhe u nisëm. "Skorpionsin" e mori Klodi, ndërsa "Kallashin" e kishim ne mbrapa, unë dhe Indrit Taullai në sediljen e pasme. Zbrita nga makina e u afrova dhe pashë që jashtë lokalit ishin ulur të karriget Edi me dy veta të tjerë. Unë i bëra shenjë Lulit me gishta dhe i thashë që janë tre veta, Edi me dy të tjerë, duke pirë kafe. Në atë moment zbriti Luli me paruke të kuqe në kokë dhe me kallash në dorë, ndërsa Klodiani kishte vënë kapelen e zezë prej meshini me strehë para dhe me "Skorpionsin" në dorë. Ata u afruan anës së murit që të mos i shihnin e dolën përballë me tavolinën dhe Klodi e qëlloi nga afër Edin me breshëri. Edi ra përmbys sipër tavolinës. Ata hipën në makinë dhe u larguan, ndërsa unë ika në këmbë në shtëpi.

Vrasja e Marsel Sotirit

Ka qenë muaji korrik 1999, unë isha në shtëpi kur më erdhi një djalë që nuk më kujtohet dhe më tha, hajde se të do Luli. Takova Lulin, Plarentin, Klodin dhe Indrit Taullain, si edhe burrin e motrës së Isuf Morinës që e thërrasin Tiku. Sa hyra brenda Plarenti më tha që "sot do palosim Marselin". Unë i thashë "Ishalla. Po vij dhe unë të gjuaj se ai më la gjysmë njeriu". Kur u bënë planet, Luli tha: "Ti Tiku do jesh shofer dhe do marrësh ‘Benzin‘ jeshil që përdorëm te vrasja e Ed Ongarit. Vetë do rrish sipër te kodra. Kur të dëgjosh krisma, do vish menjëherë aty ku na le dhe do të bllokosh rrugën nga krahu i ‘Plepave‘, që të kemi të lirë kalimin për në Durrës". Sa ishte errësuar, unë mora "Benzin" jeshil dhe hipa bashkë me Lulin, Plarentin Indrit Taullain dhe Klodin. Ne morën me vete një mitraloz të rëndë "Kolinov", një mitraloz të lehtë me rrotacile, ku futëm fishekët, një kundërtank, tre automatikë "Kallashnikov", një e kisha unë, katër. Shkova dhe i lashë çunat me armët tek ura. Te makina mbajta vetëm "Kallashin" tim. Kthehem mbrapa dhe qëndrova në buzë të rrugës kryesore, në faqe të kodrës. Pas rreth gjysmë ore dëgjova krisma të shumta armësh dhe menjëherë shkova me makinë tek ura, ku më thanë ata. Mora "Kallashin", dola nga makina dhe bllokova qarkullimin e rrugës nga drejtimi i rrugës së Plazh-Durrës, që të kishim rrugën e lirë për t‘u larguar. Pas rreth 10 minutash aty erdhi në këmbë Luli me Plarentin. Luli kishte në dorë një "Kallashnikov", kurse Plarenti nuk kishte gjë. Kur po vinin, unë pyeta ku është Klodi. Luli thirri dy herë: "O Klodo, o Klodo". Pastaj hipën menjëherë në makinë dhe unë hipa në timon. Kur arrita aty lashë makinën dhe u ktheva në këmbë për në shtëpinë time. Të nesërmen, kur dola pashë në afishe se kishte vdekur Marsel Sotiri. Shkova, mora makinën dhe e çova tek shtëpia e Plarentit. Lashë makinën dhe ika.

Çarjet e para mes bandës

Pas dy ditësh u mblodhëm bashkë te shtëpia e Plarentit dhe biseduam për ngjarjen. Atë ditë në shtëpi ishte Luli, Plarenti, Klodi dhe Indrit Taullai. Klodi i tha Lulit: "Po ti, si ike"? Luli i tha që unë të thirra dy herë, por ti nuk u përgjigje dhe e dija se kishe ikur. Klodi kishte ikur me Indritin nga kodra dhe kishin shkuar në Spitallë. Pas disa ditësh unë shkova të shtëpia e Klodit dhe ai më pyeti: "Si ndodhi muhabeti që ikët". Unë i tregova që kur erdhi Luli i thashë që ku është Klodi. Ai thirri dy herë dhe më tha hip sipër në makinë dhe ec, ec, ec. Klodi nuk foli. Më vona mora vesh nga çunat që Marseli atë ditë që ishte vrarë, kishte pasur një makinë tip BMV të blinduar. Luli i mori një anije me qira 500-tonëshe një fieraku. Ai çonte klandestinë dhe drogë në Itali. Plarenti kishte ndërtuar një shtëpi trekatëshe përballë me shtëpinë e tij të vjetër në pallat dhe ne atje mblidheshim. Unë aty dëgjova për herë të parë emrin e një femre që kishte qenë e dashura e Klodit dhe ishte përdorur si karrem për të tërhequr në pritë Marsel Sotirin. Ajo u bë e dashura e Marselit dhe njoftonte Klodin për lëvizjet e tij. Ditën e ngjarjes ajo kishte dalë me Marselin dhe lajmëroi Klodin kur po ktheheshin te shtëpia e saj, që ndodhej afër vendit ku u vra Marseli. Më pas u nisën për në Itali, Luli me Klodin. Pas rreth dy javësh ikën në Itali Plarenti, Indrit Taullai dhe vajza. Gjatë kohës së qëndrimit në Shqipëri, kur iku Klodi, Indriti rrinte me vajzën te shtëpia me qira dhe e zuri dashnore. Ajo në fakt me parë kishte qenë dashnorja e Klodit. Klodit i ngeli pak qejfi, por nuk tha gjë. Unë ndenja në Shqipëri. Pas rreth një muaji nga ikja e çunave unë ika në Itali. Kam qëndruar rreth 3 muaj dhe kam punuar si ndihmësmurator. Pastaj u ktheva përsëri në Shqipëri. Unë mësova që Luli, Plarenti, Indrit Taullai dhe Klodi kishin jetuar në Ravena. Rreth majit, qershorit 2000, u kthye në Shqipëri Klodi. Më pas erdhi Plarenti me Indrit Taullain. Pas dy ditësh nga ardhja e tyre, Lulin e kapi policia italiane për një punë droge dhe e mbajti në burg më shumë se një vit. Ndërkohë, unë e forcova shoqërinë me Klodin. Në atë kohë, kur Klodi u kthye nga Italia u fut në shoqëri me Indrit Doklen, i cili ishte si çerr, i shkathët, i vogël. Edhe Plarenti rrinte shumë me Klodin. Dua të them se kur kishin qenë në Itali, Klodi kishte punuar fort me drogë me Lulin, Indritin e Madh dhe Plarentin. Lekët, rreth 600 milionë lireta i mbanin bashkë. Plarenti erdhi për të ndarë paratë e drogës me Klodin dhe Indritin. Unë isha te shtëpia e Klodit kur erdhi Plarenti. Ai kërkoi pjesën e parave. Klodi i dha rreth 5.5 kg e gjysmë heroinë dhe i tha ta shiste. Plarentit i ngeli qejfi, por e mori drogën dhe nuk tha gjë dhe e nisi për në Itali. Klodi i tha, kur të vijë Luli bëjmë llogarinë përfundimtare... Pas ca disa ditësh unë isha te Klodi dhe ai në muhabet e sipër më tha që "Plarenti me Lulin futën dorë dhe kanë marrë lekë pa hesap te shuma që ishte bashkë, se ku shkuan 300 milionë lireta...". Më pas u ftohën muhabetet me Plarentin. Pas nja një muaji e gjysmë pas vrasjes së Tan Dishës, rreth muajit shtator të vitit 2000, është arrestuar Klodian Saliu. Klodi u arrestua fillimisht për çështjen e një vrasjeje me thikë, por më pas doli puna se e akuzonin se dolën gjurmët e gishtave te makina "Golf", me të cilën ishte kryer vrasja e Arjan Pajës e Viron Currit, si dhe e plagosjes së Marselit. Klodi ndenji rreth një vit e ca në burg.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›