BDI bojkoton Parlamentin, ndërkombëtarët rrisin vigjilencën
Në Maqedoni, BDI, partia shqiptare në qeveri nuk është duke marrë pjesë në punimet e Parlamentit prej tri ditësh. Nga partia nuk e specifikojnë këtë veprim si “bojkot”, por si një veprim “pragmatik”. BDI-ja nuk e fsheh pakënaqësinë që ka ndaj partnerit të koalicionit VMRO DPMNE. Situata është krijuar për shkak të dallimeve që ka brenda qeverisë rreth një ligji për kthimin dhe kompensimin e pronave, por ajo vjen edhe në kohën kur janë shfaqur sfida sigurie.
Partia e Ali Ahmetit ka diskutuar të mërkurën në mbrëmje rreth situatës politike në vend, por edhe rreth zhvillimeve që kanë sjellë sfida sigurie. Tahir Hani, kryetar i grupit parlamentar të BDI-së, tha dje për BBC se partia është duke vepruar në mënyrë pragmatike në aspektin e funksionimit të Parlamentit.
“Dua të theksoj faktin se partneri ynë i koalicionit duhet të ketë mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë. Përndryshe, veprime të tjera sjellin krijimin e një situate të re dhe probleme në funksionalitetin e Parlamentit”, tha Hani, i cili sqaroi se “VMRO-DPMNE duhet të jetë e vetëdijshme se duhet të pranojë raporte parimore në bashkëpunimin me BDI-në”.
“Bojkot i heshtur”Marrëdhëniet mes partnerëve të koalicionit në Maqedoni shpesh kanë shënuar tensione. Por nuk ka ndodhur më parë që BDI-ja të japë shenja bojkoti, ose si cilësohet nga vëzhguesit “bojkot i heshtur”. Ky veprim vjen edhe në kohën kur partia shqiptare në qeveri kundërshtoi një protestë të disa mijëra vetave, duke thënë se institucionet janë vendet ku duhet të adresohen kërkesat. Tensionet brenda qeverisë janë krijuar pas rezervave të shprehura nga BDI për ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave. Sipas saj, ndryshimet mund të mos jenë në favor të qytetarëve. Por edhe përkundër dallimeve, VMRO-DPMNE vendosi që të procedojë me propozimet për ndryshime. Nga partia e Kryeministrit nuk kanë reaguar ndaj veprimeve të BDI-së.
NdërkombëtarëtTensioni brenda qeveritar vjen edhe pas incidentit të së mërkurës, ku katër veta mbetën të vrarë nga shkëmbimi i zjarrit me policinë, ngjarje që shkakton sfida sigurie. Komuniteti ndërkombëtar bëri të ditur se është vigjilent. Dje Shkupin e vizitoi Philip Gordon, ndihmës i sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, ndërkohë që dy ditë më parë, ambasada e SHBA-së tha se kundërshtonte zhvillimet e fundit dhe dënonte dhunën. Edhe BE-ja tha se shpreh keqardhje për zhvillimet e fundit dhe se ndjek me vëmendje situatën në Maqedoni. Zhvillimet e fundit ndodhën kur Kryeministri Nikolla Gruevski ndodhet për udhëtim zyrtar në Afrikë.
#