E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët në protestë: Berisha, shkarko Kserën e Bollanon!

Rebelohen banorët e fshatit Toç në rrethin e Tepelenës ndaj prefektit të Gjirokastrës, Spiro Ksera. 

TEPELENE/ PIRO NASE

Rreth 80 banorë kanë kërkuar shkarkimin e tij, nisur nga publikimi i faktit se ishte pjesëmarrës në përkujtimin e protokollit të Korfuzit që shpallte autonominë e qyteteve jugore. Banorët, kryesisht të rinj protestuan për rreth 30 minuta në rrugën nacionale që lidh Tepelenën me Mallakastrën, duke u shprehur dhe ndaj kryebashkiakut të Himarës, Vasil Bollano. Ata i cilësuan veprimet e përfaqësuesve të OMONIA-s si uzurpim të politikës greke në Shqipëri. “Kryeministri Berisha, shkarko nga detyra prefektin e Gjirokastrës, Spiro Ksera”, “Berisha, shkarko kryebashkiakun e Himarës, Vasil Bollano”, si dhe “Nuk ka vend për grekët në tokën shqiptare”, kanë qenë disa prej parullave të shkruara nga banorët që protestuan paqësisht anës rrugës nacionale duke mos krijuar incidente. Ndonëse fryma konfliktuale për epërsinë e protestës ishte e pranishme në një grup prej 10 të rinjsh, nuk u arrit që të bllokohej qarkullimi i automjeteve në këtë aks nacional. Të kontaktuar në telefon për gazetën “Panorama”, disa prej tyre kanë deklaruar se, kjo nismë do të vazhdojë të jetë e pranishme edhe gjatë ditëve në vijim duke ruajtur karakterin paqësor të demonstrimit pa kaluar në akte të njëanshme, siç mund të jetë bllokimi i rrugës. Iniciatorë të protestës kanë qenë një grup të rinjsh nga fshati Toç, dikur emigrantë, por të kthyer nga policia greke gjatë kohëve të fundit. “Kërkojmë nga kryeministri Sali Berisha të zbatojë Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, pasi me fjalët e përdorura nga përfaqësuesi i qeverisë në Gjirokastër Spiro Ksera, nuk e meriton të jetë pjesë e ekzekutivit të një vendi që e ka denigruar në një tubim nacionalist në Konicë”, janë shprehur banorët e Toçit. “Kjo është Shqipëria jonë dhe jo e grekëve”, kanë qenë reagimet spontane të ardhura nga protestuesit e shumtë në këtë tubim. Banorët ndërkohë kanë paralajmëruar një tjetër protestë ditët e ardhshme, kësaj radhe jo më në rrugën nacionale, por para godinës së prefekturës së Gjirokastrës duke i kërkuar dorëheqje Spiro Kserës. Njëri prej protestuesve, Latif Hamo, është shprehur se, “grekët nuk kanë punë me territoret tona, ata le të merren me territoret e tyre që kanë dhe jo me të vendit tonë që të parët tanë e kanë mbrojtur nga këmba e pushtuesve të të parëve të prefektit të Gjirokastrës”. Ndërkohë që në qendër të akuzave ka qenë edhe vetë kryebashkiaku i Himarës, Vasil Bollano njëkohësisht kryetar i OMONIA-s. Banorët kanë deklaruar se shqetësimin e tyre do t’ia përçonin edhe deputetit të zonës Gramoz Ruci.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›