E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-hetuesi i Durrësit, Thoma Marina në gjykatë për 10 mijë euro ryshfet

 

TIRANE - Prokuroria dorëzoi në gjykatë dosjen penale ndaj ish-hetuesit të Durrësit, Thoma Marina, i cili akuzohet për korrupsion me çështjet e pronësisë. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare, sipas të cilave, Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjykatë dosjen penale me nr.1018, ku i pandehur është ish-oficeri i policisë gjyqësore të Durrësit Thoma Marina, i cili akuzohet se ka kryer veprën penale "korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike". Sipas hetimeve të Prokurorisë së Tiranës, ish-hetuesi i Prokurorisë së Durrësit, i cili po investigonte një dosje penale për falsifikimin e dokumenteve të një trualli toke në bregdet, ka marrë 10 mijë euro kundrejt zgjidhjes së padrejtë të çështjes. Pronari i vërtetë i tokës në fjalë, duket se është informuar për "pazaret" që po bënte ish-hetuesi i Durrësit dhe ka lajmëruar menjëherë policinë. Për shkak se i dyshuari objekt hetimi ishte punonjës në Prokurorinë e Durrësit, dosja penale u hetua nga Njësia Task-Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës. Kjo e fundit, pasi realizoi veprimet e nevojshme hetimore, urdhëroi arrestimin e oficerit Thoma Marina. Ai ra në pranga më 28 nëntor 2008 ditën e festës kombëtare, pasi kishte marrë një shumë prej 10 mijë euro nga pala e interesuar. Takimi mes hetuesit dhe personit që pagoi paratë është zhvilluar në një lokal në bregdet ndërsa gjithçka është filmuar nga agjentët e Antikorrupsionit të Policisë së Tiranës. Aksioni "Qetësia e Prishur" është finalizuar menjëherë pasi 51-vjeçari Thoma Marina ka marrë shumën e ryshfetit 10 mijë euro, duke u arrestuar në flagrancë. Ai mësohet se ka pranuar paratë në këmbim të zgjidhjes së padrejtë të dosjes penale për falsifikimin e dokumenteve të pronësisë mbi truallin e ndodhur në Durrës ku janë ndërtuar edhe disa objekte private.                               tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›