E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita, mijëra protestues në sheshe kundër Berishës për tragjedinë e Gërdecit

 

BLEDAR HOTI

Mitingu i PS-së dhe i katër partive aleate të saj ka nisur me gjysmë ore vonesë për shkak se pritej të vinte turma nga Gërdeci, e cila mbante në duar flamurin kombëtar prej mbi 40 metrash të gjatë, në të cilin gjendej mbishkrimi “Ndryshim”. Ky ishte shkaku zyrtar i shtyrjes së protestës, por nuk përjashtohej as fakti se jo më larg se 100 metra më tej prej mëse një ore po zhvillohej mitingu i LSI-së. Në orën 18.30 vullnetarët e PS-së që mbanin flamurin gjigant në duar kanë shkelur sheshin “Skënderbej”, duke u duartrokitur nga mijëra e mijëra protestues, derisa së bashku me liderët e PS-së, PSD, PDS dhe G-99 ngjitën shkallën e TOB-it për të çelur protestën “Mos harro”. Protesta e iniciuar kështu ka nisur dje në 12.30 në kraterin e Gërdecit për të përfunduar në 19.30 para kryeministrisë. Në protestën 7-orëshe folën të gjithë përfaqësuesit e shoqatës “Gërdeci”, të ish-ushtarakëve, të sindikatave, si dhe krerët e PSD-së, PDS-së dhe G-99. Në momentin kur prisnin që të fliste lideri i PS-së, Edi Rama, mijëra të pranishëm janë njoftuar që të marshonin drejt Kryeministrisë. Aty kreu i PS-së mbajti fjalimin e tij përmbyllës së aktivitetit. Në diskutimin e tij kryesocialisti Rama tha se: “Edhe njëherë tjetër gjuhët e vjetra nuk thanë dot asgjë të re, edhe pse sot nuk ishte dita për baltën dhe mllefin e vjetër. Edhe njëherë tjetër, ne sot jemi këtu për të mos iu përgjigjur baltës me baltë e mllefit me mllef, por për të hapur krahët e dashurisë e mirëkuptimit ndaj të gjithë atyre që njësoj si ne, duan një Shqipëri si gjithë Evropa”. Sipas Ramës sot është koha që asnjë shqiptar që e do Shqipërinë si gjithë Evropa të mos bëjë gabimin naiv, që prej 18 vjetësh e bëjnë shumë njerëz të mirë e të ndershëm, të cilët i kthejnë kurrizin politikës e nuk duan t’i dëgjojnë zërin e t’i shohin fytyrën politikës. “Këta njerëz të mirë, harrojnë se në sa më pak duar ta lënë politikën, aq më shumë të këqija mund të na vijnë nga ajo, nga lidhjet e saj të këqija e nga vendimet e saj të padrejta. Ja pse është koha për t’u bashkuar përtej kufijve të vjetër të partive dhe ndasive të vjetra të së shkuarës, përtej mërive dhe hasmërive, që politikanët kanë ushqyer deri në fshatin më të largët, përtej interesave të oborreve familjare e klanore, që e kanë uzurpuar politikën e që sot ndihen të kërcënuar nga fuqia e ndryshimit që po vjen bashkë me ne”, tha kryesocialisti. Përsa i përket ngjarjes së tragjike të Gërdecit, Rama kërkoi që politika të mos ndërhyjë në zbardhjen e plotë të ngjarjes. “Një vit më parë korrupsioni shtetëror vrau 26 ndër motrat e vëllezërit tanë, plagosi qindra të tjerë, rrënoi mijëra shtëpi e pasuri të vëna me gjak e sakrifica të pashoqe. Ne i kërkuam drejtësisë të bëjë drejtësi e sot i kërkojmë të njëjtën gjë, sepse vetëm kur politika nuk ndërhyn në punët e drejtësisë, drejtësia mund të bëjë punën e saj”, tha Rama. Ndërsa theksoi se “nga ana tjetër u themi kundërshtarëve tanë në pushtet apo aleatëve të tyre në opozitën e opozitës se mungesën e vizionit të tyre për të ardhmen nuk e mbushin dot me baltën dhe mllefin ndaj nesh”. “Ne jemi sot këtu si një popull nën të njëjtin flamur e mbi të njëjtën tokë të atdheut tonë për të dëshmuar vullnetin tonë për bashkim e ndryshim në një ditë si kjo kur edhe njëherë tjetër politika e vjetër e së shkuarës, me shëmbëlltyrën e saj në qeveri apo në opozitën e opozitës na treguan verbërinë e tyre përpara vendit, shurdhërinë e tyre përpara të vërtetave të njerëzve, cinizmin para aspiratës sonë të përbashkët për një Shqipëri si gjithë Evropa”, deklaroi Rama.

Tension mes përkrahësve të PS e LSI për protestat

Dy mitingjet e protestës nuk kanë kaluar pa tension në kampet respektive. Socialistët nga ana e tyre janë përpjekur që mbështetësit e tyre dhe ata të LSI-së të mos gjenden para Kryeministrisë në të njëjtën orë. Edhe pse protesta e LSI zhvillohej një orë para asaj të PS-së, kjo duket se ka qenë e mjaftueshme për të marrë masa nga ana e PS-së. Socialistët kanë vonuar nisjen e aktivitetit të tyre, përtej orarit të lajmëruar më parë. Mitingu i PS-së ka nisur vetëm pasi LSI kishte mbaruar protestën e saj para Kryeministrisë dhe mbështetësit e saj kishin nisur të shpërndaheshin. Asgjë nuk ka ndodhur në sheshin para Kryeministrisë. Drejtuesit e LSI-së dhe PSV ‘91 pasi kanë mbaruar protestën e tyre janë larguar të qetë bashkë me mbështetësit e tyre. Ndërsa ky tension dukej më tepër tek PS, e cila shtyu oraret e programit të protestës. Pasi sheshi para Kryeministrisë është zbrazur, njerëzit e dekorit të PS kanë nisur menjëherë nga puna për të rregulluar podiumin, ku do të fliste Rama dhe vendosjen e fonisë. Njerëz të PS-së, anëtarë të asamblesë jepnin informacione për ecurinë e mitingut të LSI-së nga kafeneja në katin e tretë të Kullave binjake përballë kryeministrisë. Ndërkohë policia kishte marrë të gjitha masat për të shmangur çdo incident në këto protesta. Një rresht i përforcuar me policë ruante godinën e Kryeministrisë, ndërsa policë kishte dhe para godinës së kryesisë së Kuvendit. Pas fjalës së Edi Ramës para Kryeministrisë njerëzit janë shpërndarë të qetë.

Fiken dritat në bulevard
Sapo kryetari socialist Edi Rama ishte gati të ngjitej në podiumin para godinës së Kryeministrisë janë fikur dritat e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” duke rritur provokimin e njerëzve të pranishëm, të cilët kanë fishkëllyer. Kjo është konsideruar nga pjesëmarrësit si e qëllimshme, për të ndikuar sadopak në dështimin e mitingut të opozitës. Pak minuta më pas, ndriçimi është rikthyer, duke dhënë mundësinë e zhvillimit të një mitingu normal.

Vullnetarët, nga Gërdeci në shesh
“Vullnetarët e PS për bashkim” duket se kanë marrë peshën kryesore në organizimin e mitingut. “Vullnetarët”, të cilët kanë zëvendësuar forumin inekzistent të FRESSH-it, kanë nisur që nga Gërdeci dhe kanë mbërritur në Tiranë pas një itinerari prej 18 kilometrash që nga vendi i tragjedisë. Gjithashtu, ata kanë qenë mjaft aktivë dhe në fushatën sensibilizuese bashkë me Ramën në lagjet e Tiranës, duke ftuar qytetarët në miting.

Flamuri gjigant me sloganin “Ndryshim”

Si rrallë herë në mitingjet politike, socialistët kishin sjellë një risi, një flamur në përmasa gjigante, i cili në protestën e djeshme u kalua në stafetë nga njëra dorë në tjetrën. Flamuri kombëtar me shqiponjën dy krenare, në përmasa 40 me 22 metra, kishte të shkruar në të sloganin “Ndryshim”. Flamuri, të cilin organizatorët e protestës e konsideruan si simboli që duhet të bashkojë të gjithë shqiptarët nën moton e ndryshimit të madh, mbërriti në kryeqytet rreth orës 18:20 dhe bashkë me ata që e sollën në formën e stafetës u bashkua dhe kryetari socialist Edi Rama dhe drejtues të tjerë të saj tek Zogu i Zi. Më pas të gjithë bashkë kanë përshkuar “Rrugën e Durrësit” për të mbërritur në sheshin “Skënderbej” rreth gjysmë ore me vonesë nga programi i planifikuar.

“PS, urdhër të mos thotë Berisha ik!”

Analisti Artur Zheji akuzoi drejtuesit socialistë se japin urdhra që të mos përmendet largimi i Berishës. “Disa në sheshin tjetër kanë marrë porosi që të mos kenë flamujt e tyre partiakë. Sa turp! Kanë marrë porosi që të mos kenë parulla Berisha Ik!, të mos kenë parullat që kërkojnë largimin e Berishës, largimin e kësaj qeverie të korruptuar dhe të shprehin atë që shqiptarët me të vërtetë ndiejnë dhe duan. Berisha duhet të ikë, ky opozitarizëm i Partisë Socialiste nuk është opozitë e vërtetë, sepse nuk bëhet opozitë duke rrahur shpatullat e atij, që krijoi dhe kërkon të mbulojë krimin shtetëror të Gërdecit. Turp!”, tha Zheji.

Protesta e LSI, Meta: Berisha ik

Aristir Lumezi

Në përvjetorin e tragjedisë së Gërdecit, LSI dhe aleatët e saj bashkë me mijëra qytetarë zhvilluan dje një protestë masive me kërkesën: “Berisha ik”!
Ashtu siç ishte lajmëruar, në orën 17:00 në sheshin ‘Nënë Tereza’, Lëvizja Socialiste për Integrim, PSV ‘91 dhe Sindikata e Pensionistëve, shoqata e ish-ushtarakëve të liruar etj., u mblodhën për të përkujtuar viktimat e fabrikës së demontimit në Gërdec me një kërkesë të vetme largimin e qeverisë Berisha. Pasi janë grumbulluar në shesh, të pranishmit me flamuj të LSI-së, banderola, pankarta që kërkonin largimin e kryeministrit Berisha, pjesëmarrësit në një lumë njerëzish iu drejtuan bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të ndaluar para godinës së Kryeministrisë. Në një podium të ndërtuar me këtë rast poshtë dritares së kryeministrit Berisha, pjesëtarë të shoqatave dhe partive politike bënë përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 vetë dhe u plagosën 300 të tjerë.
Meta
Para një banderole gjigante “Berisha ik sot, nesër është vonë!”, kreu i LSI Ilir Meta në fjalën e tij etiketoi Sali Berishën dhe qeverinë e tij si shkaktarët e tragjedisë. “Ne kemi vënë të parët gishtin ndaj Sali Berishës në 15 mars, si shkaktar i tragjedisë së Gërdecit, kur të tjerët i fërkonin shpatullat atij, për fat të keq. Berisha Ik! Berisha duhet të ikë që shqiptarët të jetojnë në paqe, të jetojnë pa viktima, të jetojnë të lirë dhe të lënë pas varfërinë, bashkë me Fazlliç-qeverinë”, tha Meta. Fjala e tij ndërpritej vazhdimisht nga thirrjet e pjesëmarrësve “Berisha Ik!”. Duke shprehur vendosmërinë e LSI-së për të zbardhur këtë tragjedi dhe përgjegjësit kryesorë të saj, Meta tha se partia që drejton ishte e vetmja parti opozitare që e kërkoi këtë. “Ne kërkuam komision hetimor parlamentar për tragjedinë e Gërdecit dhe një komision hetimor u ngrit dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku nuk u vra asnjë amerikan në Gërdec. Por, në Kuvendin e Shqipërisë nuk u krijua një komision hetimor parlamentar për tragjedinë e Gërdecit, sepse për fat të keq, pjesa më e madhe e opozitës zyrtare nuk na i dha firmat për ta krijuar këtë komision hetimor parlamentar”, tha Meta. Kreu i LSI-së tha dje se nuk ka pasur asnjë iluzion se mund të bëhen reforma me Berishën. “Ne kemi kërkuar menjëherë largimin e Sali Berishës. Por, ju e dini shumë mirë se kush u përbetohej shqiptarëve se me Sali Berishën do bënte reforma të mëdha. Ne nuk kemi pasur asnjë iluzion te Sali Berisha. Janë të tjerë ata që për fat të keq, bashkëpunuan me Sali Berishën për të mos krijuar komision hetimor parlamentar për Gërdecin, që në 21 prill ndryshuan Kushtetutën e Shqipërisë në mënyrë që pozitat e Sali Berishës të blindoheshin kundër vullnetit dhe forcës që i jep Parlamentit Kushtetuta e shqiptarëve, por që e bënë Kushtetutën jo vetëm një Gërdec-kushtetutë për nga përmbajtja e saj, për të mbrojtur Sali Berishën, por e bënë Kushtetutën edhe blu, si ngjyrat e flamurit të Partisë Demokratike. Një turp i madh jo vetëm për Sali Berishën, por edhe për ata që dhanë konsensusin për këtë gjë”, tha Meta.

Ambasadori gjerman në protestën e opozitës

Ambasadori gjerman në Tiranë Berndt Borchardt, ishte dje në mes të protestuesve të LSI-së. I veshur sportiv, jashtë kostumit zyrtar, por përsëri si përfaqësues diplomatik i një vendi të rëndësishëm evropian, Borchardt ishte në mes të protestuesve të LSI-së para Kryeministrisë. Duket se Borchardt ka dashur të shohë nga afër reagimin popullor dhe politik ndaj tragjedisë së Gërdecit, e cila bëri xhiron e botës, duke zënë ekranet e mediave më të mëdha në botë. Ambasadori ka ndenjur pak kohë në shesh gjatë kohës që përfaqësuesit politikë dhe të shoqatave drejtonin akuza ndaj përgjegjësve të tragjedisë dhe më pas është larguar. Disa minuta më vonë, ambasadori ishte dhe në sheshin ‘Skënderbej’ aty ku Partia Socialiste organizonte mitingun e saj të protestës “Mos harro” në përkujtim të viktimave të Gërdecit. Përfaqësitë diplomatike në Tiranë kanë qenë të gatshme menjëherë pas tragjedisë së Gërdecit të japin ndihmesën e tyre në tejkalimin e emergjencës dhe mjekimin e specializuar të së plagosurve në spitale më të specializuara. Por përveç kësaj, ata kanë vënë theksin në hetimin e plotë të ngjarjes dhe qëndrimin larg të politikës nga hetimi i saj.

Gërdeci, PD: Prokuroria në shërbim të Edi Ramës

BLEDAR HOTI

Partia Demokratike akuzon prokurorinë se e ka përdorur politikisht dhe ka zvarritur qëllimisht hetimin e Gërdecit. Qëndrimi i ashpër i partisë në pushtet ka ardhur nga zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi. “Grupi i PD-së konsideron dështim të hetimeve akuzat për shkelje të MSA-së, e cila hyn në fuqi vetëm në prillin që vjen. Ky grup konsideron të qëllimshme zvarritjen e hetimeve gjer në ditën e përvjetorit, duke dëshmuar se kjo dosje vihet më shumë në shërbim të mitingut të Edi Ramës, sesa në shërbim të drejtësisë, për shpirtrat e atyre që ranë në këtë aksident tragjik”, deklaroi Bumçi. Ai theksoi se: “Grupi parlamentar i PD ka kërkuar dhe ka mbështetur hetimin e gjithanshëm dhe të shpejtë si dhe nxjerrjen e përgjegjësive ligjore për tragjedinë e Gërdecit”. “Por ky grup ka denoncuar dhe denoncon përdorimin e dosjes së Gërdecit për qëllime cinike dhe çnjerëzore për të fshehur përgjegjësit e vërtetë të këtij aksidenti tragjik dhe për të dështuar hetimet, duke formuluar akuza për anashkalimin e ushtrisë dhe korrupsionin, ndërkohë që ekzistonin 32 dokumente, me tre deri ne shtate firma që vërtetonin të kundërtën”, deklaroi zëdhënësi i grupit parlamentar të PD. Akuzat e PD-së në adresë të Ramës janë lëshuar edhe me lidhjet e kreut të PS-së, Edi Rama me një prej të akuzuarve për tragjedinë e Gërdecit, Mihal Delijorgjin. “Edi Rama nuk proteston dot për Gërdecin, sepse ai është pikërisht i lidhur me Delijorgjin e me paratë e tij ka pushuar në hotelet më luksoze të Kretës, Parisit dhe gjetkë. Ai nuk proteston dot sot për Gërdecin sepse me Delijorgjin ka sipërmarrje të përbashkëta dhe vetëm javën e fundit para aksidentit tragjik ndau me te tetë leje ndërtimi në zona të ndryshme të Tiranës”, deklaroi Bumçi.

ZMK: Edi Rama i dha 30 leje ndërtimi Delijorgjit

Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit në ditën e 15 marsit ka protestuar para Bashkisë së Tiranës, duke kundërshtuar betonizimin që po i bëhet metropolit shqiptar. Kjo shoqatë ka akuzuar kryebashkiakun, liderin e PS-së, Edi Rama për bashkëpunim me Mihal Delijorgjin, personin që është vënë përpara drejtësisë për ngjarjen e Gërdecit. Përpara Bashkisë ishin vendosur 30 pankarta në të cilat jepeshin lejet e ndërtimit që Bashkia e Tiranës ia ka dhënë firmës së ndërtimit të Mihail Delijorgjit, të akuzuarit kryesor për çështjen e Gërdecit. Ishin cilësuar si “Ndere që kryebashkiaku Edi Rama i kishte bërë kësaj firme”. Kreu i ZMK-së, Altin Goxhaj, tha se: “Eshtë e papranueshme që ndërsa shumë kompani ndërtimit hasin pengesa të panumërta për të marrë një leje ndërtimi, Rama i ka akorduar Delijorgjit plot 8 leje ndërtimi”. “Të gjithë këto 30 leje i ka marra Delijorgji, i cili   po qeshte në ditën kur policia e çoi në Gjykatë, pasi kishte vrarë 26 njerëz. “Arsyeja se pse ne kemi dalë më 15 mars është se ne kemi kohë që po protestojmë për betonizimin e Tiranës, i cili po ushqen mafien e ndërtimit, mafien e Delijorgjit. Si ka mundësi që ky njeri merr 3 leje ndërtimi brenda një dite? Tirana po betonizohet çdo ditë, ajo po bëhet një Gërdec i dytë”, deklaroi Goxhaj. Ai shtoi se “Edhe pse është shumë e vështirë për të marrë leje ndërtimi në kryeqytet, Tirana është bërë një Gërdec urban, është një Gërdec i ngadaltë që ngordh përditë ngapak”. Sipas tij, Bashkia e Tiranës në vend që të ndërtojë shkolla jep leje ndërtimi për pallate, e në vend të hapësirave të gjelbra dhe parqeve betonizon Tiranën. Ndërsa nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi ka deklaruar se akuza të tilla dhe kjo protestë e ZMK-së në adresë të bashkisë bëhet vetëm për qëllime politike.

Meçani: Qeveria nuk pajtohet me zgjatjen e hetimit

Qeveria shqiptare nuk pajtohet me akuzat e ngritura nga organi i Prokurorisë për tragjedinë e 15 marsit 2008 të ndodhur në Gërdec të Vorës. Zëdhënësja e qeverisë, Juela Meçani deklaroi dje përpara zhvillimit të protestës se “Qeveria vlerëson fisnikërinë e banorëve të Gërdecit që me përçmim refuzuan përpjekjet për të manipuluar me shpirtrat e njerëzve të tyre të dashur për qëllime politike dhe vlerësuan bashkëpunimin me qeverinë dhe qëndrimin e kësaj qeverie, që në minutat e para pas aksidentit e deri në ditët e sotme”. “Qeveria ka bërë çdo përpjekje dhe ka dhënë çdo ndihmë me dokumentacion dhe mbështetje për hetim të shpejtë, të pavarur dhe të gjithanshëm dhe vendosjen para ligjit të autorëve të tragjedisë. Ajo nuk është pajtuar dhe nuk pajtohet me akuzat e formuluara vetëm e vetëm për të fshehur përgjegjësit e vërtetë të këtij aksidenti tragjik, nuk është pajtuar dhe nuk pajtohet me zgjatjen e hetimit dhe pazaret politiko-mediatike me dosjen e kësaj tragjedie. Për qeverinë shqiptare zbardhja e të vërtetës mbi Gërdecin është me rëndësi kapitale për drejtësinë shqiptare”, deklaroi Meçani. Zëdhënësja e Kryeministrit theksoi më pas se “Qeveria shqiptare në njëvjetorin e kësaj ngjarje tragjike, shpreh edhe njëherë ngushëllimet më të thella, solidaritetin më njerëzor familjeve të viktimave, të plagosurve dhe të lënduarve të këtij aksidenti tragjik dhe ndan me ta dhimbjen e humbjes së pakompensueshme për ta”. Në deklaratën për shtyp theksohej se: “Qeveria i siguron ata të gjithë se sikundër deri më sot ajo do të jetë bashkë me ta, do të ofrojë të gjithë mbështetjen dhe solidaritetin për kapërcimin e pasojave afatmesme dhe afatgjata të këtij aksidenti tragjik”.

Gjykata s’pranon provat e “Gërdecit”

Trazhgim Sokolaj

Gjykata e Lartë “refuzon” të marrë në dorëzim disa nga dokumentet që Prokuroria e Përgjithshme dorëzoi të premten në cilësinë e provave shkresore për fajësinë e 29 të akuzuarve të tragjedisë së Gërdecit. Dhjetëra dokumente të konsideruara nga Prokuroria e Përgjithshme si prova penale, i janë rikthyer këtij institucioni pak kohë pasi ishin dorëzuar në Gjykatën e Lartë më 13 mars 2009. Gjykata ka refuzuar të marrë në dorëzim materialet shkresore, duke pohuar se ato ishin vendosur në kuti kartoni dhe nuk ishin shoqëruar me procesverbale dhe numrat përkatës të protokollit. Kthimi i dokumenteve nga gjykata duket se ka ndodhur në kapërcim të orarit zyrtar pasi dosja ishte dorëzuar nga prokuroria në limitet e fundit brenda orës 16:00 të katër ditëve më parë. Argumenti kryesor me të cilin Gjykata e Lartë i ka kthyer prokurorisë një pjesë të mirë të dokumenteve të dosjes “Gërdeci”, ka qenë fakti se ato “nuk përmbushin elementët e administrimit të provës materiale”.
Kthimi i provave
Sipas Gjykatës së Lartë, dokumentet në fjalë ishin vendosur në kuti kartoni dhe mënyra e dorëzimit të tyre nuk përmbushte kriteret themelore që duhen plotësuar për regjistrimin dhe marrjen e tyre në dorëzim në sekretarinë gjyqësore. Prokuroria nga ana tjetër tha, se provat e kthyera nga Gjykata e Lartë do të dërgohen përsëri në këtë institucion ditën e martë kur pritet të fillojë aktiviteti zyrtar i institucioneve shtetërore. Organi qendror i akuzës pranoi faktin se një pjesë e mirë e dokumenteve të dosjes “Gërdeci” ishin vendosur në kuti kartoni për shkak të sasisë së madhe të dokumenteve. Të premten më 13 mars 2009, pas mbylljes së hetimeve për shpërthimin e Gërdecit, Prokuroria e Përgjithshme dorëzoi në Gjykatën e Lartë, dosjen me 40 fashikuj që përmbanin gjithsej mbi 28 mijë faqe dokumente. Një pjesë e mirë e shkresave që hedhin dritë mbi ngjarjen, për shkak të sasisë së madhe të tyre, u vendosën në kuti dhe ambalazhe kartoni me qëllim që të mos humbitnin radhitjen gjatë transportit nga Prokuroria e Përgjithshme për në Gjykatën e Lartë.
Prokuroria:
Dosja në gjykatë
Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme konfirmuan dje se Gjykata e Lartë, ka rikthyer në këtë institucion që të premten, disa prej materialeve plotësuese që shoqëronin dosjen “Gërdeci”. “Bëhet fjalë për disa materiale plotësuese, që nuk janë pjesë e fashikujve të çështjes por materiale të lidhura”, thanë burimet nga organi qendror i akuzës. Sipas tyre, dosja penale për fajësinë e të pandehurve është dorëzuar në Gjykatën e Lartë dhe është pranuar nga ky institucion sipas të gjitha procedurave të rregullta ligjore. “Gjykata e Lartë ka kërkuar një sistemim të disa materialeve shoqëruese të fashikullit penal. Këto materiale do të ridërgohen të martën”, sqaruan më tej burimet nga Prokuroria e Përgjithshme. Sipas tyre, veprimi i Gjykatës së Lartë nuk përbën akt procedural, por është vetëm një moment administrativ që nuk ndikon në ecurinë e procesit.

Të pandehurit

1. Rezar Tërshana
2. Besnik Dauti
3. Agim Babameto
Anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Municionit, për fishekët
4. Gëzim Oshafi
5. Denis Hajdari
6. Jorgo Mino
7. Fatbardh Kuçi
Anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Municionit, për Predhat
8. Zenun Fero
9. Hysni Çoçka
10. Hilmi Laçaj
Komisioni i Kategorizimit të Municioneve
11. Fiqiret Mato
Drejtor i Uzinës Mekanike të Gramshit
I akuzuar për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh”
12. Fari Toska, Anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Municionit
13. Landi Shatro
Drejtor i Kombinatit Mekanik të Poliçanit
I akuzuar për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh”
Të pandehurit e parë
14. Luan Hoxha ish-shefi i Shtabit
15. Agim Lala ish-zv/shef i Shtabit
16. Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes
17. Ardian Mullai, ish-sekretar i Përgjithshëm
18. Shkëlzen Madani, ish-drejtor Ekonomik i Burimeve dhe Menaxhimit
19. Shpëtim Spahiu, ish-komandant i Forcave të Bashkuar
20. Zija Baja, ish-komandat i Forcës Mbështetëse
21. Dashnor Çaushi, ish-drejtor i Logjistikës së Shtabit
22. Adriatik Mema, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministri
23. Armand Tartari, ish-drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit të Buxhetit
24. Ndue Marku, ish-drejtor i Drejtorisë Juridike në Shtab
25. Juliana Margariti, ish-financiere e MEICO
Të arrestuar
26. Mihal Delijorgji, pronat i “Albademil”
27.Ylli Pinari, ish-drejtor i MEICO
28. Dritan Minxolli, ish-drejtor i fabrikës në Gërdec
29. Sokol Gjeçi, ish-mbikëqyrës i MEICO në Gërdec

Përkujtohet xhenieri Ilirjan Malçi

KURBIN – Një vit më parë, një ndër viktimat e Gërdecit u bë dhe xhenieri Ilirjan Malçi. Ai ishte dërguar nga ushtria për të punuar me një fadromë në kompaninë e demontimit, por u gjet i pajetë disa ditë pas shpërthimit të 15 marsit. Qindra vetë morën pjesë dje në ceremoninë e 1-vjetorit të humbjes së Malçit. Në Laç ishin të pranishëm dje dhe banorë të komunës Margegaj, ku Ilirjan Malçi u shpall pas vdekjes qytetar nderi. Në fjalën e tij sekretari i komunës Margegaj, Ibrahim Zharra u shpreh se: “Ilirjan Malçi ka punuar me repartin e xhenios për hapjen e rrugës Tropojë–Kosovë dhe ka lënë një respekt tek të gjithë banorët e zonës. Ai nuk i përket vetëm Kurbinit, por edhe Tropojës e të gjithë Shqipërisë, pasi jam i bindur se ai në çdo vend ku ka punuar është nderuar nga të gjithë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›