E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët në protestë: Largoni arsenikun nga zona e azotikut

• FIER – Banorët e zonës së azotikut në Fier janë revoltuar kur kanë marrë vesh se landfilli për groposjen e mbetjeve të arsenikut, do të ndërtohet në territorin e azotikut.

Ata kanë pohuar se, do të protestojnë kundër këtij projekti. Ngritja e landfillit ishte cilësuar si e vetmja mënyrë që 10 tonë arsenik të largoheshin nga zona e banuar. Përpara se t’u komunikohej ky investim, banorët kishin protestuar për largimin e arsenikut, pa menduar që zgjidhja do të mbetej brenda këtyre mureve. Pasi janë njohur me sigurimin e fondeve për këtë projekt prej Ministrisë së Mjedisit, ata kanë kundërshtuar me forcë duke thënë se, nuk do të pranojnë që të bëhet groposja pranë banesave të tyre. “Nuk mund të rrezikojmë kaq shumë. Po na vrasin me duart e tyre. E dimë që ne nuk do të kemi jetëgjatësi me këto mbetje. Shumë fëmijë kanë pasur komplikacione në shëndet për shkak të masës së arsenikut që ndodhet këtu. Mua më ka lindur nipi i vdekur dhe mjekët specialistë deklaruan se, ishte pikërisht kjo ndotje e shkaktuar nga arseniku që i kishte marrë jetën që në bark”, ka folur për gazetën “Panorama”, Balil Ndreka, njëri prej banorëve. Sipas specialistëve, të cilët kanë verifikuar mbetjet e arsenikut, si edhe kanë bërë studimet në rast të groposjes, kanë folur për një rrezik që nuk largohet. Ata u kanë komunikuar banorëve që në rast të groposjes në këtë territor, fare pranë shtëpive për 50 vjet do të ketë probleme. Po sipas ekspertëve, ndotja dhe rreziku nga arseniku i groposur nuk prek vetëm Fierin, por të gjithë qarkun, pasi nëntoka rrezikon të mbytet nga lëndët kancerogjene deri në një rreze prej 30 kilometrash. m.r.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›