E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: Vatnikaj nën hetim për tjetërsim pronash

 

Shkarkimi i kreut të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave është bërë objekt i debateve parlamentare. Deputeti socialist Erjon Braçe në diskutimin e tij ka bërë të ditur se, "largimi i kreut të AKKP-së, Tunxh Vatnikaj, është bërë nga qeveria në një procedurë jo transparente". Sipas zyrtarit socialist "arsyeja e vërtetë e shkarkimit të kreut të Agjencisë së Pronave është abuzimi me disa prona në bregdetin e Durrësit.
"Vatnikaj ka qenë në hetim prej tre muajsh nga organi i Prokurorisë, ky një prej arsyeve janë procedurat e ndjekura për tjetërsimin e kësaj prone në plazhin e Gjeneralit, në fshatin Bardhorë. Duhet të dini që qeveria herë tjetër kur të marrë vendime të drejta shkarkimi për zotërinë në fjalë, duhet t'u thotë shqiptarëve historinë e vërtetë të këtyre ngjarjeve. Kjo histori ka brenda emra të rëndësishëm, që fillojnë në qeveri e mbarojnë në qeveri", tha nënkryetari i grupit socialist, Braçe. Pikërisht për këto fakte, sipas Braçes, Vatnikaj për 3 muaj ishte nën hetim nga Prokuroria. "Unë ftoj Prokurorinë e Përgjithshme që të bëjë publike disa fakte pa cenuar hetimin e nisur mbi këtë çështje dhe të bëjë publike se pse është nën hetim ish-kreu i AKKP-së, Vatnikaj", theksoi nënkryetari i grupit të PS-së. Dy ditë më parë qeveria mori vendimin për të shkarkuar Vatnikaj dhe duke emëruar në vend të tij Elvis Çefën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›