Ish-kryetari i Pronave në hetim nga Prokuroria
Trazhgim Sokolaj
Ish-kryetari i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tunxh Vatnikaj, po hetohet nga Prokuroria e Tiranës për shkelje penale. Dosja në fjalë mësohet se është regjistruar kohë më parë pranë Njësisë Task-Force Antikorrupsion, ndërsa hetimet po drejtohen nga prokurori pranë kësaj Njësie, Armand Gurakuqi. Të dhënat në fjalë janë mësuar dje nga burime jozyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, pasi zyrtarisht institucioni i akuzës preferoi të heshtë edhe pse publikisht ishte bërë me dije nga faktorët politikë të opozitës, se ish-kreu i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave po hetohej nga prokuroria. Veprat penale për të cilat po hetohet janë "korrupsion pasiv" dhe "shpërdorim detyre". Zyrtarë të Prokurorisë së Tiranës i thanë dje gazetës "Panorama", se hetimet ndaj ish-zyrtarit të pronave Vatnikaj janë në një fazë, kur publikimi i të dhënave mund të dëmtojë procesin. Ndërkaq, burimet zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme nuk preferuan të komentojnë. Një qëndrim i tillë erdhi në një kohë kur burime të mirëkonfirmuara pohuan nisjen e hetimeve, madje renditën edhe emrat e grupit hetimor që drejtohet nga prokurori Armand Gurakuqi. Hetimi për Tunxh Vatnikën, mësohet se po ndiqet nga afër prej drejtuesve të Zyrës Task-Force Antikorrupsion si dhe nga vetë kryeprokurori i Rrethit të Tiranës Genti Xholi. Në dijeni të plotë për hetimet e kësaj çështje, mësohet se është edhe vetë kryeprokurorja Ina Rama. Burimet e organit të akuzës, konfirmuan se ndaj ish-zyrtarit të pronave nuk ka ende akuza penale të adresuara. Veprat penale janë fiksuar vetëm në objektin e hetimit, por nuk u atribuohen personave konkretë. "Shtetasi Tunxh Vatnikaj është person ndaj të cilit zhvillohen hetime në cilësinë e ish-kryetarit të Agjencisë së Pronave. Procedimi penal bën fjalë për disa vepra penale që dyshojmë se janë konsumuar nga të hetuarit në një rast të trajtimit të një prone në zonën e Kavajës", thanë burimet e konfirmuara nga prokuroria. Të njëjtat burime thanë se janë në dijeni për shkeljet që Qeveria renditi tri ditë më parë në listën e argumenteve, mbi të cilat e shkarkoi juristin e njohur Vatnikaj, nga drejtimi i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Nga ana tjetër, zyrtarët e prokurorisë thanë se ka qenë pikërisht vendimi i kryeprokurorit të Tiranës për të nisur procedimin penal ai që "ka nxitur" dhe argumentuar vendimin e Qeverisë për shkarkimin e Vatnikajt nga detyra, që ai mbante prej tetë muajsh. Në kushtet kur prokuroria kishte nisur procedimin dhe Vatnikaj ishte person në hetim, edhe pse i prezumuar si i pafajshëm ekzekutivi duket se ka pasur një argument më shumë për vendimin e tri ditëve më parë. Grupi hetimor i kësaj çështje, mësohet se ka bërë deri më tani këqyrje në zonën ku ndodhen pronat për të cilat po hetohet. Mësohet se është kryer edhe bllokimi i dhjetëra dokumenteve në Agjencinë e Pronave, ndërsa janë marrë në pyetje mbi dhjetë dëshmitarë, që kanë dijeni për rrethanat objekt hetimi.
Hetimi për korrupsion dhe shpërdorim detyre
Kallëzimi penal që është paraqitur në Prokurorinë e Tiranës pas një kontrolli në Agjencinë e kthimit dhe Kompensimit të pronave mësohet se është marrë në vlerësim nga prokurorët dhe hetuesit. Ata kanë vlerësuar se veprat penale, që dyshohet se janë konsumuar dhe për të cilat duhet të hetohet, janë korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre. Në funksion të këtyre dy veprave penale, prokuroria e kryeqytetit mësohet se ka vijuar hetimet e saj, madje duke përfshirë edhe metodat speciale të marrjes së provave.