Falsifikuan dëftesa, pranga ish-drejtorëve të gjimnazeve
ELBASAN/ ALDO KOZARJA
Dy ish-drejtorë shkollash, aktualisht mësues, u arrestuan dje për abuzime me dokumentet shkollore. Sipas policisë, duke përfituar para, ata mundësonin pajisjen me vërtetime shkollore e më pas me dëftesa të shkollës së mesme persona që nuk kishin shkelur asnjëherë në gjimnaz. Një hetim i nisur 6 muaj më parë, u finalizua me operacionin "Filtri", i cili prangosi në mbrëmje Bajram Kllogjerin, 41 vjeç dhe Gëzim Skënderin, 47 vjeç me akuzën e "falsifikimit të dokumenteve" dhe "shpërdorimit të detyrës". Sipas policisë, Kllogjeri, banues në Gramsh ka qenë drejtor në shkollën e mesme Tunjë të rrethit, ndërsa Skënderi, banor i Elbasani, ish-drejtor i shkollës së mesme "Qemal Stafa" në këtë qytet. Që të dy, aktualisht ushtrojnë detyrën e mësuesit: Gëzim Skënderi, që nga viti 2008 e deri para arrestimit ka qenë mësues matematike në shkollën 9-vjeçare "Qemal Haxhiasani", ndërsa Kllogjeri mësohet se vazhdonte të ushtronte detyrën e mësuesit të shkollës së mesme në fshatin Tunjë, aty ku më parë kishte qenë drejtor. Në shtator të vitit 2008, kur Zyra Arsimore në Gramsh reformoi kuadrin, e kaloi atë në detyrën e mësuesit. Të dy këta ish-drejtues janë arrestuar nga ana e forcave të policisë të Elbasanit, të cilat kishin nisur hetimet që nga muaji tetor. Hetuesit kishin informacion se dy personat kishin abuzuar me detyrën, duke falsifikuar dokumentet e shkollës në këmbim të shumave të ndryshme që shkonin deri në 50 mijë lekë të reja. Sipas policisë mësohet se rreth 100 nxënës kishin arritur të merrnin nga shkolla e mesme "Qemal Stafa" në qytetin e Elbasanit vërtetime notash të falsifikuara, për t'u regjistruar më pas në shkollën e mesme të fshatit Tunjë në këtë komunë, aty ku merrnin dëftesat e gjimnazit. Mësohet se shkak për nisjen e hetimeve janë bërë drejtuesit aktualë të shkollës së mesme "Qemal Stafa", të cilët kanë bashkëpunuar me policinë e Elbasanit për të zbardhur këto falsifikime që janë shënuar në periudhën e viteve 2005- 2008. Gjithashtu, sektori i krimit ekonomiko-financiar në drejtorinë e policisë së Elbasanit ka nisur hetimet në lidhje me mësues të tjerë të shkollave që mund të jenë përfshirë në abuzimet me dokumentet. Mësohet se janë marrë në pyetje nga ana e policisë afro 50 mësues, të cilët kanë qenë pjesë e stafit pedagogjik të të dy shkollave gjatë periudhave që drejtonin dy ish-drejtorët. Këta të fundit ndodhen të arrestuar në qelitë e paraburgimit të Elbasanit në pritje të komunikimit të masës së sigurisë nga ana e gjykatës. Ndërkohë që hetimet e mëtejshme do të zbardhin nëse ka personat të tjerë të implikuar në këto abuzime brenda administratës shkollore apo jo.