Komuna Aliko përplaset me ndërtimorët
SARANDE - Fadroma e ndërtimores shembi dje një objekt shumëkatësh tek vendi i quajtur Kanali i Çukës. Por kjo shkaktoi përplasje midis ndërtimorëve dhe komunës Aliko. Kryekomunari Ilia Thanasi tentoi të ndalonte aksionin që kishte nisur që tri ditë më parë për prishjen e ndërtesës shumëkatëshe. Ai kërkoi dokumentacionin dhe vendimin e prishjes. "Objekti i goditur nga Inspektorati Kombëtar i Ndërtimit ka marrë të gjitha lejet e nevojshme nga komuna e Alikos që prej vitit 2006. Nuk jam për të ndaluar prishjet, por ato të bëhen jo në mënyrë selektive dhe në mungesë totale të komunikimit me qeverisjen vendore", u shpreh kryekomunari i Alikos. Ndryshe nga praktika e deritanishme, prishjet e djeshme nuk patën mbështetjen e degës së Sarandës dhe as të Policisë së Rendit të këtij Komisariati. sh.d