E Diel, 1 Nëntor 2026

Banorët nuk lënë shtëpitë: Nuk besojmë se na dëmshpërblejnë

Prej katër ditësh e gjithë zona e Nënshkodrës vazhdon të gjendet nën ujë, për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe hapjes së detyruar të portave të hidrocentraleve mbi kaskadën e lumit Drin. Megjithëse dje niveli i ujit ka rënë me rreth 30 cm, situata vazhdon të jetë kritike. Janë 3500 ha tokë e përmbytur dhe rreth 200 banesa të rrethuara nga uji. Situatën e ka rënduar më shumë fakti se banorët kanë refuzuar evakuimin, duke qëndruar brenda banesave të tyre në një kohë që priten reshje shiu dhe hapje e detyruar e portave të hidrocentralit të Vaut të Dejës. Situata më e rënduar duket në fshatin Obot, ku i gjithë fshati me 130 shtëpi gjendet i izoluar nga uji dhe asnjë nga banorët nuk pranon të evakuohet.
Refuzimi i evakuimit
Dje pasdite, shtabi i emergjencave civile ka shpërndarë formularë për çdo familje, ku kryefamiljari do të deklarojë refuzimin e evakuimit. Kjo procedurë e ndërmarrë nga shtabi i emergjencës, në një farë mënyre është një paralajmërim për përkeqësim të situatës prej reshjeve të shiut dhe hapjes së portave të hidrocentraleve mbi Drin. Duke hasur në refuzimin e banorëve për t’u evakuuar, forcat e ushtrisë dhe policisë me mjete lundruese kanë dërguar ndihma ushqimore në çdo shtëpi të fshatit Obot.
Një nga banorët e fshatit, Vinçenc Kola, thotë “për momentin ne me të vërtetë jemi të rrethuar nga uji, por shohim se ende nuk ka hyrë në shtëpi dhe duke parë se kemi brenda fshatit forca të shumta ushtrie e policie, ndihemi të sigurt dhe rrimë me shpresën se mos uji do largohet”. Ndërsa një banor tjetër i fshatit Obot, Smajl Anamali, e justifikon në këtë mënyrë refuzimin e evakuimit: “As ne nuk duam të mbytemi brenda shtëpive, por ka një problem me të cilin ne jemi hasur edhe kur jemi përmbytur në vitin 2003. Shteti thotë se do më dëmshpërblejë, por ai nuk e di sa lopë, dele, tokë të mbjellë dhe pajisje elektroshtëpiake kam unë. Kur të vijë koha e dëmshpërblimit, ata thonë se nuk kishin fonde të mjaftueshme dhe caktojnë sipas dëshirës vlerën e dëmshpërblimit, siç bënë në vitin 2003. Në atë kohë unë kisha 30 krerë dele dhe tre lopë të mbytura nga uji dhe shteti më tha: Jo! Të janë mbytur dy dele e një lopë. Dhe tani nuk kam besë te shteti se do më kompensojë, ndaj do vdes brenda në shtëpi, se vetëm me bagëti e tokë e kemi të lidhur jetën. Për mendimin tonë, komuna duhet të kishte mbajtur shënim për çdo familje të gjitha bagëtitë, tokën e mbjellë dhe pajisjet elektroshtëpiake, pastaj ne do ishim evakuuar me shume dëshirë”.
Evakuim me forcë
Në një prononcim për “Shqip”, kreu i Shtabit të Emergjencës, prefekti i Qarkut të Shkodrës, Magjid Cungu, tha se do të përdoret edhe forca për të evakuuar banorët, nëse situata do të jetë e rrezikshme. Të njëjtën deklaratë e bëri nga Shkodra edhe drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Alfred Olli.
“Për momentin kemi një situatë të qetë, por kemi sinjalizim se do ketë reshje të dendura shiu, ndaj dhe evakuimi i banorëve në fshatin Obot mbetet shqetësim kryesor. U bëjmë thirrje banorëve të lënë shtëpitë, pasi do të gjendemi përballë një situate kritike. Nëse ata nuk do i lënë vetë, do jemi të detyruar të veprojmë sipas ligjit, duke bërë evakuim të detyruar”, tha prefekti Cungu. Sipas tij, Shtabi i Emergjencave po qëndron në kontakt të vazhdueshëm me banorët dhe po u shërben me ndihma ushqimore dhe gjithçka që kanë nevojë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›