Elson Shehi tentoi të kryejë një vrasje në Tiranë, por kapet edhe pse nisi udhëtimin drejt Italisë me “Riviera Adriatica”
Trageti “Riviera Adriatica” ka bërë kthim të detyruar në terminalin e trageteve të Portit Detar të Durrësit pak minuta pas nisjes për lundrim, duke iu përgjigjur kërkesës së policisë shqiptare për kapjen e një të kërkuari. Elson Shehi, 19 vjeç nga Tirana, nuk ka mundur të largohet nga vendi, me gjithë përpjekjen për të realizuar planin e tij. Me dokumente të rregullta për udhëtim jashtë shtetit dhe pasaportë biometrike, i kërkuari për vrasje të mbetur në tentativë ishte imbarkuar në tragetin e linjës Durrës-Bari vetëm pak çaste pas kryerjes së krimit të mbetur në tentativë.
Atentati
Zëdhënësja e drejtorisë së policisë së kryeqytetit, Alma Katragjini, njoftoi dje zyrtarisht se dy ditë më parë, nga specialistët e Seksionit Kundër Jetës dhe Shëndetit, u krye arrestimi në flagrancë i shtetasit Elson Muhamed Shehi, 19 vjeç, lindur e banues në Tiranë. Sipas njoftimit, arrestimi i tij u krye sepse pardje, rreth orës 21:30, në rrugën “Irfan Tomini”, pranë një lokali, pas një konflikti, ai ka tentuar të vrasë me armë zjarri të tipit pistoletë, shtetasin Denis Bashkim Redhaj, 24 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vrasje e mbetur në tentativë. Mësohet gjithashtu se i plagosuri Denis Redhaj aktualisht ndodhet i shtruar në Spitalin Ushtarak në Tiranë nën trajtimin mjekësor, jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes nga grupi hetimor i formuar u kryen të gjitha veprimet hetimore e procedurale. Ndërkohë që materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale të “vrasjes me dashje”, e mbetur në tentativë, parashikuar nga nenet 76 dhe 22 të Kodit Penal.
Arratisja
Agjentët antikrim të Policisë së Tiranës kanë mundur të identifikojnë të dyshuarin si autor të tentativës për vrasje, por nuk kanë mundur ta gjejnë në banesën e tij dhe as në “baza” të mundshme ku dyshohej se ishte strehuar. Të dhënat e sigurta të marra në mënyrë operative kanë orientuar policinë për vendndodhjen e mundshme të tij. Pas kësaj, drejtori i Drejtorisë së Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, menjëherë i ka telefonuar drejtorit të Migracionit dhe Kufirit në Durrës, Naim Manukut, duke i kërkuar ndërhyrjen për operacionin policor në kapjen e të riut. Njoftimi është marrë rreth orës 00:15 të së martës. është verifikuar së pari se në cilin prej trageteve që nisen natën nga Porti i Durrësit ndodhej i riu dhe rezultoi se ai ishte imbarkuar te “Riviera Adriatica”. Trageti ndërkohë kishte nisur lundrimin drejt portit italian prej më shumë se 10 minutash. Manuku tha për gazetën “Shqip” se menjëherë u mor kontakt me Kapitenerinë e Portit Detar të Durrësit për të komunikuar me drejtuesit e tragetit. “Operacioni policor nuk mund të kryhej në det të hapur ndonëse mjetet tona lundruese shkuan pranë tragetit dhe e shoqëruan atë gjatë kthimit në kalatë. Kapiteni i tragetit u tregua mirëkuptues dhe ndryshoi kursin e tragetit dhe u ankorua sërish sipas kërkesës sonë”, tha kreu i migracionit dhe kufirit në qytetin bregdetar. 19-vjeçari Shehi nuk ka mundur të bëjë rezistencë, pasi është kapur teksa qëndronte qetësisht në dhomën e prenontuar në traget. Duket se ai nuk e ka e menduar ndryshimin e fatit për të, ndërsa trageti kishte dalë nga Porti i Durrësit. Madje nuk e ka kuptuar dhe ndjerë ndryshimin e kursit nga kapiteni për kthimin mbrapsht. Operacioni ka qenë i shpejtë dhe agjentët antikrim të Policisë së Tiranës, pas kapjes në traget, e kanë shoqëruar drejt qelive të paraburgimit të kryeqytetit, ku do të qëndrojë deri në përfundim të hetimeve të nisura për veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë ndaj Denis Radhaj, si dhe asaj të armëmbajtjes pa leje. Ndërkaq, pas kërkesës për falje dhe mirëkuptimit të pasagjerëve të tjerë, trageti vijoi udhëtimin drejt destinacionit të tij.