Shefik Grori ishte shpallur i zhdukur që prej datës 25 dhjetor. Asnjë lajm edhe për 39-vjeçarin Bulku
Kishte dhjetë ditë që për policinë dhe familjen rezultonte i zhdukur, por është gjetur vetëm pardje, i vdekur, pasi ishte masakruar keq me sende të forta në një fshat afër kryeqytetit, nga i cili kishte marrë edhe mbiemrin. Disa banorë të zonës kanë njoftuar policinë se kishin gjetur të shpërfytyruar si pasojë e goditjeve të shumta me gurë dhe leva një 71-vjeçar. Lajmi u bë i ditur nga burime zyrtare të Policisë së Tiranës, të cilat thanë se mesditën e së hënës janë njoftuar pas një telefonate për zbulimin e trupit të pajetë të të moshuarit, i cili figuronte që nga data 25 dhjetor, i zhdukur. Sipas të dhënave zyrtare dalë nga policia e kryeqytetit, pardje, rreth orës 11:00, në fshatin Gror, është gjetur i vdekur Shefik Ahmet Grori, 71 vjeç, lindur dhe banues në qytetin e Tiranës.
Ky person ishte larguar nga banesa e tij në Tiranë dhjetë ditë më parë pa lënë asnjë adresë te të afërmit. Siç rezultoi pas gjetjes së trupit nga disa fshatarë që ruanin bagëtinë, ai kishte shkuar për të kaluar fundvitin 2009, te pronat e tij që ndodhen në fshatin e lindjes. Duket se aty ai kishte vendosur të jetonte i vetmuar për disa kohë, pasi banesën e kishte në lagjen “Allias” në kryeqytet.
Pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes shkoi menjëherë grupi hetimor nga sektori i vrasjeve për të sqaruar me tej rrethanat, motivet si dhe për të administruar të gjitha provat e gjetura në vendngjarje. Burime nga policia thanë se të dyshuar për këtë ngjarje janë disa persona që punojnë si çobanë në atë zonë, por ende nuk ka prova reale për fajësimin e tyre. Ndërkaq mësohet se policia ende nuk ka ndonjë pistë konkrete për motivet që kanë çuar autorët ende të paidentifikuar, për të kryer këtë krim makabër.
Pas hetimeve të para, dosja me materiale do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “Vrasjes me dashje”. Ndërkohë, edhe pse hetimet dhe kërkimet janë intensifikuar në maksimum, nuk ka asnjë lajm për fatin e 39- vjeçarit Arjan Bulku, baba i tre fëmijëve, i cili rezulton i zhdukur që pasditen e datës 27 dhjetor të vitit të kaluar. Njoftohet se janë shoqëruar për disa orë, për t’u pyetur, disa persona që kanë pasur shoqëri me të dhe priten përgjigjet nga kompanitë celulare për të mësuar kontaktet e fundit që Bulku ka kryer me celularin personal.