E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbyten shtëpitë dhe katet e para në zonën e plazhit

Reshjet e dendura të shiut, si dhe baticat e detit, kanë bërë që përveç Lezhës të ketë përmbytje dhe probleme edhe në zona të tjera bregdetare, si Durrësi dhe Saranda.
Durrës
Nata e ndërrimit të viteve dhe ditët në vijim i kanë gjetur disa shtëpi dhe katet e para të pallateve në zonën e plazhit të Durrësit të përmbytura. Ndërkaq, shumë shtëpi të tjera janë të rrezikuara për shkak të bllokimit të kolektorit të ujërave të lartë. Shqetësimit të banorëve i është përgjigjur përmes një ndërhyrjeje emergjente në këto ditë Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve Durrës, në ndihmë të së cilës kanë ardhur dhe mjetet e ndërmarrjes homologe të Tiranës. Megjithatë është ndërhyrë për të shmangur ngritjen e nivelit të ujit në këto banesa, pasi për zgjidhjen e problemit kërkohet një ndërhyrje efikase. Prefekti i Qarkut të Durrësit, Genci Alizoti, që ka ndjekur nga afër aksionin, konfirmoi se kjo është një ndërhyrje e shpejtë që nuk e zgjidh problemin, po shmang shqetësimin në këto ditë festash. Sipas tij, përgjatë këtij muaji do të planifikohet një ndërhyrje e plotë për prishjen e ndërtimeve mbi kolektor, të cilat të ngritura pa kriter kanë shkaktuar bllokimin e tij dhe përmbytjen e një pjese të mirë të familjeve që jetojnë në sektorët “Hekurudha” dhe “Iliria” të plazhit të Durrësit.
Sarandë
Baticat nuk kanë “kursyer” as Kanalin e Butrintit. Për pasojë, lundra (trapi) e Butrintit, që është instaluar dhe kryen transportin e automjeteve dhe njerëzve në dy anët e këtij kanali, ka nisur prej disa ditësh të ketë probleme në orare. Esat Xhemali, një prej lundërtarëve, thotë se shërbimi nuk është ndërprerë si në datën 31 dhjetor 2009, ashtu edhe në çdo ditë të vitit të ri 2010. Por, sipas tij, në këto ditë të para të janarit, ata janë të detyruar ta bllokojnë shërbimin në intervale të caktuara kohe, që nuk janë fikse. Shkak bëhen baticat e përsëritura në mënyrë të çrregullt dhe jo periodike, si zakonisht. Kjo ka sjellë që edhe emigrantëve të ndryshëm që kanë zgjedhur të kalojnë nga Butrinti për të mbërritur në Qafëbotë, t’u qëllojë që ta kenë gjetur të paralizuar shërbimin. “Nuk mundemi të paralajmërojmë paraprakisht për këto bllokime të detyruara nga ngritja e papritur e nivelit të ujit, pasi kjo ndodh në kohë të ndryshme të ditës, apo natës”, na thotë lundërtari. Për këtë shkak, 2 orë në ditë baticat nxjerrin jashtë pune funksionimin e lundrës dhe automjeteve të njerëzve u duhet të presin të kalojë ky interval, ose të kthehen mbrapsht, për të mbërritur në Qafëbotë përmes aksit tjetër rrugor, Metoq-Mursi, apo siç njihet ndryshe “Rruga e Biznesit”, investimi i fundit të vitit 2009. Edhe më shumë probleme e vonesa sjell efekti i baticave në funksionimin e lundrës, sidomos për banorët e Komunës së Xarrës e ata të bashkisë më jugore të Konispolit, të cilët për të mbërritur në Sarandë, në kohën e bllokimit të lundrës, u duhet të dyfishojnë largësinë, duke kaluar nga Livadhjaja apo nga Pllaka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›