E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Korçë u bllokua rruga për shkak të vonesave. Radhë të gjata në Durrës e Berat

Zyrat e aplikimit për pasaporta biometrike janë “pushtuar” në këtë fillimviti nga qytetarët që duan të aplikojnë për dokumentet e reja. Ditët e pushimit dhe problemet që u kanë hapur emigrantëve për kthimin në vendet e tyre të punës, kanë krijuar radhë të gjata dhe pakënaqësi mes aplikuesve.Korçë
Pengesat që po hasin për t’u kthyer në shtetet ku jetojnë, i kanë çuar emigrantët në protesta. Ata ankohen se vonesat po u krijojnë probleme për rinisjen e procesit të punës për ta dhe mësimit për fëmijët e tyre. Dhjetëra qytetarë kanë protestuar dje, kur zyra e pasaportave nuk është hapur në orar për t’u shërbyer. Ndërsa kanë pritur deri në orën 11:00 pranë zyrës së shpërndarjes së pasaportave biometrike, për të marrë në dorëzim dokumentin, emigrantët kanë bllokuar rrugën në shenjë proteste. Sporteli është hapur me vonesë, ndërkohë që të paktën 60 emigrantë që kanë qenë në radhë janë larguar përkohësisht për të bllokuar rrugën si formë reagimi. është dashur ndërhyrja e policisë për t’i bindur të largohen nga rruga dhe protesta e tyre është zhvendosur para zyrës. Emigrantët deklarojnë se po humbasin ditët e punës për shkak të vonesave që shkaktohen në shpërndarjen e pasaportave, të cilat edhe pse janë prodhuar, po tërhiqen me shumë probleme dhe me procedura tejet të ngadalta. “Kemi qëndruar gjithë natën në radhë në mes të dëborës dhe të ftohtit dhe nuk ka aspak seriozitet për nisjen e punës. Ka vetëm një sportel që duhet të punojë për shpërndarjen e pasaportave dhe ai nuk hapet në orar, por detyrohemi të presim derisa të vendosin punonjësit të nisin apo jo ndarjen. Në rast se nuk kthehem në kohë në Greqi, fëmijët rrezikojnë të humbasin disa ditë në shkollë, për mos thënë për ditët e punës që po na ikin nga qëndrimi këtu”, thotë një nga emigrantët. Ndërkaq, dhjetëra emigrantë janë penguar në pikën kufitare për shkak se në sistem rezultojnë se u është prodhuar pasaporta e re biometrike, ndërkohë që ata paraqesin pasaportën e vjetër.
Durrës
Hapja e zyrave të aplikimit pas ditëve të pushimit dhe ndërprerja e energjisë elektrike kanë shkaktuar radhë dhe pakënaqësi te qytetarët në pritje për të aplikuar për pasaportat biometrike. Në të gjitha njësitë administrative të Durrësit, dita e djeshme ka shënuar nisjen e aplikimeve për letërnjoftimet dhe pasaportat për këtë vit të ri. Irritimi i kandidatëve për aplikues është shtuar ndërsa janë bllokuar për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike pothuajse në të gjithë qytetin bregdetar për më shumë se dy orë. Qytetarët ankohen për numrin e pakët të personelit në zyrat e aplikimit, ndërsa shumë prej emigrantëve janë ende të paqartë për situatën e krijuar pas aplikimit. “Kam dëgjuar se ne mund të kthehemi në Itali dhe me pasaportat e vjetra dhe të rejat të tërhiqen nga njerëzit tanë këtu. Por, shumë emigrantë që kanë aplikuar para vitit të ri, kanë pasur probleme dhe nuk janë lejuar të dalin jashtë. Askush nuk na sqaron saktë për këtë situatë. Qëndroj në radhë dhe nuk e di nëse duhet ta bëj aplikimin apo jo”, thotë një 47-vjeçar, banor i Lagjes 12, teksa pret radhën e gjatë në zyrën e “Aleat” pranë njësisë administrative nr.3 në Durrës. Një tjetër thotë se të birin e kthyen në port dhe nuk e lanë të shkonte në Itali, pasi numri i ri i pasaportës biometrike ishte futur në sistem dhe pasaporta aktuale nuk vlente më.
Berat
Në shërbim të banorëve të Bashkisë Berat dhe 10 komunave të rrethit ekziston vetëm një qendër ku shpërndahen pasaportat biometrike. Pushimi zyrtar i festave bëri që të krijohen radhë të gjata për tërheqjen e dokumentit pranë të vetmes qendër, e cila ndodhet në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Beratit. Emigrantët që kanë aplikuar, duke iu trembur problemeve që mund të krijohen në pikat kufitare, kanë preferuar që të tërheqin dokumentet e reja dhe më pas të largohen drejt vendeve ku punojnë dhe jetojnë. Emigrantët ankohen për procedurat e ngadalta të shpërndarjes, ndonëse kanë aplikuar rreth 20 ditë më parë.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›