E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapen duke transportuar 19 kilogramë kanabis sativa, tre të rinj nga Kruja

Antidroga e Durrësit ka sekuestruar një sasi prej 19,7 kilogramësh kanabis sativa, e cila po transportohej drejt Tiranës, ndërsa janë arrestuar në flagrancë tre të rinjtë që po bënin transportin e saj. Në mes të arrestuarve janë dhe një student dhe një mësues shkolle publike. Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, agjentët e antidrogës së Durrësit dhe shërbimet policore të Krujës organizuan operacionin e koduar “Start 2010”, gjatë të cilit u arrestuan në flagrancë studenti 19-vjeçar Andi Stojani nga fshati Bilaj i Krujës, Spartak Cangu, 20 vjeç nga fshati Verjon i Niklës me detyrë mësues në shkollën 9-vjeçare të Niklës, si dhe Edi Brata, 33 vjeç me profesion mekanik, po nga ky fshat.
Tre të arrestuarit u ndaluan në aksin rrugor Fushë-Krujë-Tiranë, në afërsi të fshatit Arameras dhe gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Honda” me targa greke u gjetën në bagazh thasët me bimën narkotike që ishte në gjendje të thatë dhe në formë boçeje. Nga peshimi rezultoi se sasia e sekuestruar është 19,693 kilogramë dhe hetimet e mëtejshme për këtë rast të prodhimit e shitjes së narkotikëve do të kryhen nga Prokuroria e Rrethit të Krujës.
Masa bimore e thatë dhe në trajtë boçeje ishte futur në thasë plastmasi gati për t’u tregtuar. Burimet policore bënë të ditur se gjithashtu është bllokuar mjeti “Honda” me targa greke NHO 3778, i cili është në pronësi të shtetasit Edi Brata, me të cilin udhëtonin tre të arrestuarit që dyshohet se janë të përfshirë në prodhimin dhe tregtimin e bimës narkotike. Pak ditë më parë, në fund të vitit që sapo u mbyll, u godit nga agjentët e antidrogës një grup shpërndarësish të lëndëve narkotike, kryesisht kokainë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›