E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtuesit e “Albtelekom”-it: Hoqëm kartofonët nga rrugët, se i djegin çdo vit

Fishekzjarrët e hedhur gjatë ditëve të festave kanë shkaktuar dëmtime të linjave telefonike. Me qindra abonentë të filialit të “Albtelekom”-it në Fier gjatë ditëve të para të vitit 2010 nuk kanë mundur të shkëmbejnë urimet me të afërmit e tyre nëpërmjet telefonisë fikse. Edhe pse drejtuesit e “Albtelekom” shprehen se kishin marrë në prag të festave të gjitha masat për të garantuar shërbimin e premtuar, sërish masat e tyre kanë dështuar. Në stacionin e depozitimit të defekteve pranë zyrave të “Albtelekom” shprehen se radha e abonentëve që ankohet prej tri ditësh është mjaft e gjatë. “Jetoj në lagjen ‘8 Shkurti’. Më ka ikur sinjali i telefonit që më 30 dhjetor. Mora në telefon këta të shërbimeve dhe sot jam detyruar të vij vetë pranë zyrave që shqetësimin t’ia bëj prezent vetë drejtoreshës”, thotë Vali çela. Ndërsa abonentët që ankohen janë më shumë se 300 në ditë, problemi i tyre qëndron në faktin e vonesës së riparimit të defekteve. Nga ana tjetër, pranë zyrave të depozitimit të defekteve në filialin e “Albtelekom”-it në Fier të shprehen se një situatë e tillë është e përvitshme. Ndërsa drejtoresha e këtij filiali, Donika Ristani, thotë se “problemet me linjat e telefonit kanë ardhur si pasojë e fishekzjarrëve.
Ne kemi kërkuar nga autoritet përkatëse, si policia e rendit dhe ajo bashkiake, që në momentin e ndërrimit të viteve të marrin masa për të ruajtur linjat tona. Por ashtu si dhe vitet e shkuara, edhe këtë vit një pjesë e linjave të shpërndarjes së sinjalit telefonik janë dëmtuar nga fishekzjarrët. Specialistët e riparimit të defekteve kanë punuar edhe gjatë ditëve të festave dhe në disa vende i kanë rilidhur provizorisht linjat”. Gjithashtu Ristani ka thënë se në prag të festave u hoqën të gjithë kartofonët e qytetit, pasi ata bëheshin objekt djegiesh dhe dëmtimesh nga personat që festonin në rrugët kryesore të qytetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›