Masterat e nivelit të dytë zëvendësim me profesionalë
zirina llambroMasterat e nivelit të dytë të hapura këtë vit do të hiqen. Pas Ministrit të Arsimit, i cili disa ditë më parë deklaroi zëvendësimin e tyre, gjithçka e sqaron Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule. Sipas tij, MND do të zëvendësohen me mastera profesionalë dhe mastera shkencorë. "Ne synojmë të ndryshojmë logjikën e masterave të nivelit të dytë, pa i dhënë atyre padrejtësisht statusin e doktoraturës, por me atë ndarje siç e kanë vendet e tjera, mastera profesionalë dhe mastera shkencorë", deklaroi Rektori i UT. Një grup pune po merret me hartimin e kurrikulave të reja, të cilat pritet të përfundojnë shumë shpejt. Këtë vit në universitetet publike nis edhe skema e re për financimin e të ardhurave. çka do të thotë vetëadministrim, më shumë autonomi e pagesa më të larta për stafin akademik Pos tyre më shumë investime e projekte në shkollat e larta. Krahas buxhetit të përcaktuar nga Ministria e Arsimit, universitetet do të kenë mundësi që të ardhurat e tyre t'i menaxhojnë vetë. "Do të fillojë fillimisht me pjesën e të ardhurave që quhen të ardhurat tona. Në kompetenca dhe përgjegjësi më të mëdha të institucioneve të Arsimit të Lartë, në vendimmarrjen për përdorimin efektiv të burimeve të financimit, burimet e financimit përgjithësisht i përdorin 60- 70% të tyre për personelin, pjesa tjetër është për shpenzime korente", tha Kule. Sipas Rektorit të UT, pritet që këtë vit të nisë edhe ndërtimi i kampusit të ri universitar. Ai do të përfshijë disa fakultete brenda një godine, duke zgjidhur kështu përfundimisht problemin e akomodimit të studentëve. Aktualisht infrastruktura është pika më e dobët e Universitetit të Tiranës.