E Diel, 1 Nëntor 2026

Bar miu në kafen e mëngjesit gruaja helmon burrin

11/04/2005  Krim i rëndë në një familje në Korçë

KORÇE – Pas një jete jo shumë të këndshme, gruaja vendos të hakmerret ndaj bashkëshortit. Gjithë natën mendon variantet që mund të përdorte për të arritur qëllimin, dhe në mëngjes i ka servirur kafenë me helm. Brenda orës ai ka dhënë shpirt. Përpjekjet e saj për ta paraqitur si vdekje aksidentale apo natyrale, i ka hedhur poshtë autopsia e kërkuar nga ekspertët kriminalë. Në stomakun e viktimës është zbuluar lëndë helmuese, ç’ka e ka çuar drejt prangave bashkëshorten e tij.

Ngjarja

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Kuç i Zi të rrethit të Korçës. Bashkëshortët Tefik dhe Ditera Liçolli, kishin mbi 20 vjet që ishin martuar, por nuk kishin lindur fëmijë. Jeta bashkëshortore ka qënë normale dhe duke pasur pranë të afërm dhe miq, nuk e ndjenin mungesën e fëmijëve. Tefiku ishte 54 vjeç, ndërsa Ditera 49 vjeç. Vitet e fundit, mes tyre kishin lindur mosmarrëveshje për vogëlsira, por që sa vinin dhe shtoheshin.

Tefiku grindej dhe Ditera mërzitej për çka i thoshte ai. Një grindje të tillë duket se kanë pasur edhe të enjten në mbrëmje. Burri ra të flinte, ndërsa e shoqja me sa duket ka vendosur që të hakmerrej.

Tefiku është ngritur në mëngjes dhe ka pirë kafen e servirur nga bashkëshortja. Ai donte të shkonte për të punuar në arë, por papritur nuk e ka ndjerë veten mirë. Filluan t’i merren mendtë dhe më pas, ka pasur edhe dhimbje të forta barku. Ditera përpiqej ta “ndihmonte” për t’i lehtësuar dhimbjet. Tefiku u rrëzua në mes të shtëpisë dhe për të marrë ajër, ai doli jashtë te shkallët.

Duke mos mbajtur dot ekuilibrin është rrëzuar duke u rrokullisur nëpër shkallë, ndërsa ka pësuar goditje edhe në kokë.

Gjendja e tij shëndetësore ka ardhur duke u rënduar dhe brenda orës duke u përpëlitur vdiq.

Dyshimet

Shumë shpejt shtëpia u mbush me fqinjë dhe miq të familjes. Të gjithë shprehnin çudi se si vdiq Tefiku, që gëzonte shëndet të mirë. Ditera në fillim tha se u rrëzua nga shkallët, dhe kur e pa që ky shkak për vdekjen e bashkëshortit edhe nuk po besohej, shprehu dyshimin se mund të kishte pasur infarkt të zemrës. Vdekja disi e çuditshme dhe ngjyra e fytyrës së të vdekurit, tërhoqi vëmendjen e personelit mjekësor e mandej edhe të policisë.

Ishin ekspertët e policisë kriminale që dyshuan dhe kërkuan që kufomës t’i bëhej ekspertizë. Bashkëshortja nuk e priti mirë këtë kërkesë, por u ndje e pafuqishme për ta kundërshtuar.

Arrestimi

Trupi i pajetë i Tefikut u çua në morgun e spitalit të qytetit. Mjekët ligjorë të morgut gjatë autopsisë verejtën se shkak i vdekjes, nuk ishin goditjet që kishte marrë gjatë rrokullisjes nëpër shkallët e shtëpisë, ndërsa edhe zemra nuk kishte pësuar ndonjë infarkt.

Atëhere u analizuan gjaku dhe lëngjet e stomakut. Rezultatet e analizave zbuluan se në trupin e Ganiut kishte lëndë helmuese. Mjekët nuk kanë bërë të ditur për median llojin e helmit, por dyshohet se ka qënë helm për mizat ose bar për helmimin e minjve. Personi i parë i dyshuar për helmimin e tij, ishte Ditera.

Ajo u shoqërua në orët e vona të ditës së premte në Komisariatin e Policisë, dhe u muar në pyetje. Më vonë, policia e arrestoi në kushtet e flagrancës. Grupi i hetimit po vazhdon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Gruaja pranon krimin

“Më rrihte ndaj e helmova”

Pas arrestimit, fillimisht Ditera e ka mohuar autorësinë e helmimit të bashkëshortit të saj. Por më pas, kur ekspertët e krimeve i treguan edhe prova të tjera të gjetura në shtëpi, pohoi se i kishte hedhur helm në kafen që i dha në mëngjes, sepse nuk e duronte dot, sepse grindeshin vazhdimisht.

“Kishim shpesh kontradikta dhe ai nuk i përgjigjej detyrimeve të familjes. Shpesh ushtronte edhe dhunë, ndërsa jo rrallë herë më ka krijuar probleme e vështirësi në jetë”, mësohet të jetë shprehur para grupit të ekspertëve Ditera.

Nga ana e tyre, burimet e policisë lokale, bënë të ditur se e dyshuara kishte probleme psikike e nervore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›