E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia e SHISH, dy variante të ndryshme për objektin e sulmit

11/04/2005  Asnjë i identifikuar për sulmin me granatëhedhës në Tropojë

TROPOJË – Dy ditë pas katër të shtënave me granat hedhës në Bajram Curri, ende policia nuk ka identifikuar autorët e mundshëm, apo edhe motivet e tij. Për sa i përket autorëve, burimet e policisë lokale, bënë të ditur se ende nuk janë identifikuar dhe se po punohet edhe për shkaqet e motivet.

Përkundër kësaj, policia lokale dhe dega e SHISH, kanë shpërndarë dje versione të ndryshme lidhur me ngjarjen. Ndërsa dega e SHISH pretendon se objekt sulmi ka qenë godina lokale ku ndodhet ky institucion, policia pretendon të kundërtën. Sipas burimeve të policisë lokale, është ripërsëritur dje deklarimi se objekt sulmi ka qenë karburanti pranë SHISH, i njohur si i Ferriz Kërnajës, por që është dhënë me qera.

Katër shpërthime të fuqishme ndodhën mesnatën midis të enjtes e të premtes në lagjen “Kojë” të Bajram Currit, kur persona të panjohur, qëlluan me granat hedhës pa ndonjë drejtim të përcaktuar. Njëra nga predhat ka prekur pjesën e jashtme të murit të ndërtesës, por pa dëmtime të rënda.

Pas këqyrjes në vendin e ngjarjes, forcat e policisë së Tropojës bënë disa shoqërime në komisariat, të cilët u lanë të lirë në përfundim të verifikimeve ndaj tyre.

Sipas një komunikate për shtyp, Minsitria e Rendit Publik bëri të ditur se autorët kanë patur për qëllim të shpërthejnë karburantin, që ndodhet pranë godinës së SHISH, dhe që rezulton pronë e Ferriz Kërnajës, por i dhenë me qira prej kohësh.

“Në bazë të shpjegimeve të para, është konstatuar se janë dëgjuar 4 shpërthime, të cilat vinin nga lagjja “Kojë” në drejtim të qytetit dhe konkretisht në rrugën automobilistike mes karburantit dhe objektit të Degës Autonome të SHISH, Tropojë. Nga hetimet paraprake rezulton se objekt i shpërthimit të ketë qenë pika e karburantit, e cila gjatë vitit të kaluar ka qenë dy herë objekt i sulmeve me granat hedhës dhe lëndë eksplozive”, thuhet në njoftimin për shtyp.

“Pas kontrollit të të gjithë territorit të dyshuar, ku mund të kishin rënë predhat, janë konstatuar 3 pjesë predhash të rëna në oborrin e godinës së SHISH dhe një predhë është gjetur në trotuarin e rrugës automobilistike. Dëme në njerëz dhe objekte nuk ka”, saktësoi Ministria e Rendit Publik.

Në vitet e mëparshme në zonën e lartpërmendur është grabitur arka e kursimeve dhe paratë e asistencës sociale. Gjithsesi, ende nuk dihet pse policia bën këtë lidhje, ndërsa flitet për mundësinë e autorësisë së përbashkët të mëse një personi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›