Baraj: Caushoglu, informacione të njëanshme nga Topalli
Deklarimet e Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Mevlut Caushoglu, janë konsideruar nga selia rozë si produkt i keqinformimit. Në një prononcim për shtyp, deputeti socialist i Tiranës, Besnik Baraj, ka nënvizuar edhe njëherë gatishmërinë e opozitës për arritur marrëveshjen që do zhbllokonte situatën. “Shprehim keqardhjen që zoti Caushoglu, nuk është i informuar sa duhet apo më saktë është i informuar në mënyrë të njëanshme nga zonja Jozefinë. Por duke e vlerësuar megjithatë interesimin për Shqipërinë e informojmë se opozita ka bërë e po bën gjithçka ka në dorë për zgjidhjen e krizës. Dhe fjala i papjekur në këtë rast do t’i shkonte qëndrimit të zotërisë ndaj opozitës shqiptare, jo qëndrimit të opozitës ndaj krizës që as e kemi shkaktuar ne e as po e thellojmë ne që kemi gatishmërinë për kompromis”, tha Baraj në një përgjigje replikuese ndaj Caushoglusë. Reagimi erdhi pas deklarimit të këtij të fundit se qëndrimet e opozitës shqiptare në raport me zgjidhjen e krizës, sidomos me grevën e urisë dëshmonin papjekurinë politike të saj. Si pjesë plotësuese e përgjigjes, por edhe e etikës së PS, Baraj ka shprehur gatishmërinë e PS për të informuar gjerësisht të dërguarin e KiE-së në funksion të një daljeje mbi palët në artikulimin publik.
#