E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama po pengon integrimin me çadra dhe greva qesharake

Pogradec

Kreu i qeverisë, Sali Berisha, ka përshkallëzuar turin e tij elektoral në Pogradec, por edhe akuzat ndaj kreut të PS-së, Edi Rama. “Në vend po qarkon një hije. Qëkur Partinë Socialiste, kupolën e saj e pushtuan pinjollët e bllokut, nga mëngjesi deri në darkë nuk bëjnë gjë tjetër, veçse përpiqen me propagandën e tyre nihiliste të zerojnë çdo gjë”, tha ai. Kryeministri Berisha e cilëson të dështuar përpjekjen për të penguar integrimin e vendit. Sipas tij, për të penguar procesin e integrimit, pas zgjedhjeve, kërkuan t’i fusin qytetarët shqiptarë në kuti. “Bënë çdo gjë për të nxirë të vërtetën që shndrit dhe do të shndrisë gjithmonë për zgjedhjet e lira dhe të ndershme që zhvilluam. Bojkotuan Parlamentin vetëm e vetëm që BE-ja të mos hapte negociatat për statusin e kandidatit”, theksoi Berisha. Shefi i qeverisë iu rikthye komenteve për bojkotin dhe grevës së Partisë Socialiste duke thënë se “si karnavalë të vërtetë ngritën çadrat para Kryeministrisë dhe Parlamentit dhe nisën të ashtuquajturën grevë qesharake, vetëm e vetëm për të bllokuar vendimin për liberalizimin e vizave. E keqja e qytetarëve shqiptarë, e keqja e fëmijëve shqiptarë është e mira e bllokmenëve të rinj”, tha ai.

Kryeministri lëshoi edhe një mesazh për Partinë Socialiste, duke ironizuar kutitë me bunkerët e regjimit komunist. “Le ta lëmë Edi Ramën dhe kupolën e bllokmenëve të rinj në kuti, ose po të duan në bunker le të shkojnë. Ne të ecim të sigurt drejt Europës, me mundin dhe djersën tonë, me reforma. Le të ndërtojmë idealet tona europiane”, tha ai. Kryeministri Berisha mori pjesë dje në inaugurimin e përfundimit të punimeve dhe pajisjes se shkollës së mesme të bashkuar “Dëshmorët e Pojskës” në Udënisht, në Pogradec. Shkolla, me vlerë investimi 26 milionë lekë të reja, ka 567 nxënës, nga të cilët 110 në arsimin parashkollor.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›