Rama në Tepelënë: “Të bashkohemi kundër klaneve”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve për t’u bashkuar kundër klaneve që po përçajnë dhe po varfërojnë vendin. Këtë apel Rama e ka bërë nga qyteti i Tepelenës, i cili ka qenë ndalesa e radhës e Rrjetit të Vullnetarëve të Partisë Socialiste. Rama tha se politika e vjetër duhet të marrë fund dhe duhet të fillojë një politikë e re, e cila duhet të vihet në shërbim të qytetarëve. “Këto zgjedhje janë një udhëkryq mes së shkuarës dhe së ardhmes dhe një shtysë për t’i dhënë jetë një bashkimi njerëzish që nuk duan të mbeten peng i lojës së interesave të të njëjtave personazhe e oborre familjare e klanore sa djathtas e majtas. Që në 28 qershor të mos fitojnë ata që kanë fituar gjithmonë, edhe kur kanë humbur politikanët, por të fitojnë ata që kanë humbur gjithmonë edhe kur kanë fituar qytetarët, na duhet një bashkim i ri qytetarësh dhe jo një pazar i vjetër kryetarësh”, - tha kreu i PS-së, Edi Rama. Ai deklaroi se zgjedhjet e 28 qershorit janë të lidhura me mundësinë e artë që kanë shqiptarët për të kthyer fletën e historisë. “Kjo është edhe arsyeja pse zgjedhjet e 28 qershorit nuk janë të miat, por tonat. Këto zgjedhje janë të lidhura me çka ne mund të bëjmë së bashku për të kthyer fletën e historisë, duke e kthyer politikën nga mjet ekskluziv jetese i politikanëve në mjetin e ndryshimit në duart e qytetarëve. Këto zgjedhje janë mundësia dhe mjeti për t’i hapur rrugë shpresave tuaja e ëndrrave të fëmijëve tanë”, - tha Rama.
28 Shkurt 2009