Baraj: Mjedisi jo i monitoruar, largohen ekspertët më të mirë
Sekretari për Mjedisin në PS, Besnik Baraj deklaroi se qeveria Berisha ende nuk ka lidhur kontratat me institucionet përkatëse për të kryer monitorimin e cilësisë së mjedisit në Shqipëri, ku përfshihen ajri, uji, toka dhe biodiversiteti. Sipas tij, kjo mungesë përgjegjshmërie nuk është e rastit, ajo lidhet me uljen e ndjeshme të kapaciteteve profesionale në Ministrinë e Mjedisit, ku këto vite janë larguar ekspertët më të mirë e më shumë përvojë, duke i zëvendësuar me agraro-ambientalistët e Xhuvelit.
Gjithashtu, Baraj tha se Drejtoria thelbësore për monitorimin dhe parandalimin e ndotjeve, që prej gati një viti është pa drejtor e pa ekspert për mbetjet e ngurta, që janë probleme akute për vendin, por jo për qeverinë Berisha. Baraj tha se rezultatet e besueshme duhen minimalisht të kryhen 15 ditë monitorim në muaj, ndërkohë që kanë kaluar 4 muaj pa bërë asnjë ditë monitorim. Ai theksoi se monitorimi është një proces i detyrueshëm ligjor. Ndërkohë që sipas tij, qeveria e paaftë, e papërgjegjshme nuk e kryen atë në kohë dhe me standardet e vendeve të rajonit. Baraj deklaroi se fondi i caktuar për këtë qëllim është qesharak krahasuar me vende si Maqedonia dhe Kroacia, duke qenë 10 deri 30 herë më i vogël se këto vende. Ai deklaroi se më 28 Qershor do të marrë fund paaftësia e papërgjegjshmëria e kësaj qeverie, e cila nuk është transparente, deformon informacionet mjedisore dhe abuzon me qytetarët e saj. Baraj theksoi se Shqipëria pas 28 qershorit do të futet në një rrugë të ndryshimit radikal të cilësisë së mjedisit.