Nishani: Letërnjoftimi elektronik, dokument edhe për jetën e përditshme
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani nëpërmjet një deklarate të fundit ka shfaqur edhe një herë rëndësinë e letërnjoftimit elektronik, i cili sipas tij nuk është i vlefshëm vetëm për zgjedhje, por është edhe një dokument i rëndësishëm, që do tu shërbejë qytetarëve për një kohë të gjatë. Sipas tij, të gjithë qytetarët që nuk disponojnë pasaportën për jashtë vendit, do të pajisen me letërnjoftimet elektronike përpara zgjedhjeve të 28 qershorit, duke veçuar faktin se qeveria shqiptare i ka marrë të gjitha masat për të lehtësuar këtë proces, duke ulur çmimin e letërnjoftimit për kategoritë e caktuara dhe duke ofruar transport për ata që jetojnë në fshatra larg komunave.
Nëse këta qytetarë, që përfitojnë nga këto lehtësira, do ta neglizhojnë këtë vendim të qeverisë, dhe do të shkojnë përtej kohës së përcaktuar, ata nuk do ti përfitojnë këto lehtësira, ka saktësuar ministri i Brendshëm. Ndërkohë, që ndër të tjera Nishani e cilësoi të paprecedent propozimin e opozitës për shpërndarjen falas të kartave të identitetit. Sipas tij, letërnjoftimi elektronik, i cili nuk do të shërbejë vetëm për zgjedhje, si një produkt i standardeve të larta, ka një kosto. Çdo qytetar, për një produkt, i cili ka një kosto dhe një vlerë, duhet të paguajë për ta bërë të tijin këtë dokument. Vetëm në Bashkinë e Tiranës janë të identifikuar 80 mijë shtetas pa pasaportë, 60 mijë prej të cilëve kanë aplikuar për tu pajisur me letërnjoftimin elektronik, ka bërë të ditur ministri i Brendshëm. Gjithashtu, ai ripërsëriti edhe një herë vendimin më të fundit, për penalizmin e të gjithë atyre punonjësve të gjendjes civile, që kushtëzojnë dhënien e certifikatave me pagesën e taksave lokale, duke penguar qytetarët për tu pajisur me letërnjoftimin elektronik. Kjo lehtësi është krijuar nga qeveria shqiptare, për të sensibilizuar popullin shqiptar, për aplikimin e letërnjoftimeve elektronike. Gjithashtu, një tjetër favor për shtetasit shqiptarë që do të aplikojnë për kartat e identitetit, qendrat e aplikimit do të funksionojnë çdo ditë të javës. Pasaporta është prej polikarbonati, me çipin elektronik brenda faqes së saj të parë dhe çipi përmban të gjitha të dhënat e mbajtësit, përfshirë edhe shenjat e gishtave të tij, me shumë elementë sigurie, shumica e të cilëve të pa dallueshëm me sy. Fotografia dhe të gjitha shkrimet do të jenë të stampuara në pasaportë me metodën e gdhendjes laser-egrave.