E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Qeveria do rrisë pagat e pensionet edhe në mandatin e dytë

Ministri i Financave, Ridvan Bode në kuadër të turit Shqipëria po Ndryshon, ka premtuar rritje të pagave dhe pensioneve edhe në mandatin e dytë të kësaj mazhorance, gjatë vizitës së tij në komunën Pirg, në qarkun e Korçës, Mblodhëm 3.2 miliardë dollarë më shumë dhe ato i çuam në investime në infrastrukturë, në rritje pagash dhe pensionesh, është shprehur ai, duke shtuar se rritja në mandatin e dytë do të bëhet për të përmbushur një prej premtimeve kryesore që kjo mazhorancë i ka dhënë elektoratit. I shoqëruar dhe nga deputeti i zonës, Edmond Spaho, ai u takua me banorë të zonës, mbështetës dhe simpatizantë të Partisë Demokratike, ku deputeti Edmond Spaho i quajti katër vitet e qeverisjes së Partisë Demokratike, një ndryshim të dukshëm, që vihet re jo vetëm në zonën e Korçës por në gjithë Shqipërinë. Ndërsa ministri Bode, duke u fokusuar në arritjet e qeverisë për këtë mandat katërvjeçar tha se ritmi i investimeve ka qenë 6 herë më i madh se në 8 vitet e qeverisjes socialiste. Megjithëse FMN ka rekomanduar qeverinë shqiptare që në kushtet aktuale të mos rrisë pagat dhe pensionet dhe të mos ulë kontributet e sigurimeve shoqërore, pasi nuk ka të ardhura të mjaftueshme në buxhet, qeveria shqiptare vazhdon të përsërisë përditë rritjen e ardhshme të pagave në vend, për vazhdimin e politikave të deklaruara, pasi sipas saj ka kontigjenca të mjaftueshme për çdo rrezik. Të njëjtën deklaratë ka dhënë edhe kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli nga Peqini, e cila ka theksuar se qeveria shqiptare do të vazhdojë me rritjen e rrogave dhe pensioneve. Duke përmendur këtu, nënshkrimin e kontratës me vlerë prej 3.4 miliardë dollarësh nga kryeministri Sali Berisha. Por, në të njëjtën linjë me kreun e FMN, kundër rritjes së pagave në vend ka qenë edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë Fullani, i cili ka këshilluar qeverisë të bëjë rialokimin e shpenzimeve, të gjenden financime shtesë për të mbështetur buxhetin dhe të shtyhen shpenzimet që nuk janë të domosdoshme për ekzekutivin. Deklarata e dhënë nga FMN duket se vjen si një shuplakë për qeverinë, e cila me entuziazmin e saj vazhdon të flejë mbi dafinat e sukseseve imagjinare. FMN ka qenë skeptike përsa i përket rritjes ekonomike të parashikuar nga qeveria për vitin 2009.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›