PD: Rritja e pagave dhe pensioneve nuk bëhet për qëllime elektorale
Partia Demokratike hodhi poshtë deklaratën e deputetit të PS, Arben Malaj, se rritja e pagave dhe pensioneve në kohë krize është e gabuar dhe nuk sjell asnjë benefic, duke theksuar se kjo rritje nuk bëhet për qëllime elektorale.
Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, tha dje gjatë një prononcimi për mediat, se PD i thotë z. Rama se të kërkosh të mos rrisësh rrogat e pensionet në një kohë kur vetë, përveç 1500 Eurove në muaj, vjel edhe 15% dhe 2 kate për çdo leje ndërtimi, është një cinizëm e shpirtkazmëri ekstreme", ndërsa shtoi se përsa i përket pretendimit se kjo rritje po bëhet për qëllime elektorale mund të thuhet se kjo është shpifja dhe trillimi i z. Rama. Sipas saj, rritja e pagave dhe pensioneve ka ndodhur në 2006, 2007, 2008 pa asnjë lidhje me zgjedhjet. Ajo do të ndodhë nga 2009 e deri në 2013 e më tutje me qëllimin e parë luftën kundër varfërisë, çrrënjosjen e mjerimit dhe shpërndarjen më të mirë të të ardhurave, u shpreh Mëhilli. Duke sqaruar se rritja e rrogave dhe pensioneve është një qëllim madhor për luftën kundër varfërisë e nuk ka asnjë qëllim elektoral për këtë, zëdhënësja e Partisë Demokratike i bëri thirrje socialistit Rama të lërë mënjanë vajin për krizën e të heqë dorë nga taksomania para se ta shërojë të mërkurën qeveria me vendimin e saj".