Pollo: Aplikimi për kartat garanton proces zgjedhor pa probleme
Zëvendëskryeministri Genc Pollo, u ka bërë thirrje qytetarëve gjatë një takimi të zhvilluar me banorët e Urës-Vajgurore, që të angazhohen në procesin e aplikimit për tu pajisur me karta të identitetit, pasi sipas tij kjo pajisje do të garantoj zhvillimin e një procesi zgjedhor tepër normal dhe pa probleme.
Në procesin e pajisjes me karta të identitetit, opozita me Ramën në krye është bërë dhe po vazhdon të bëhet pengesë duke trumbetuar pallavra se kartat duhet të jepen falas duke dal në këtë rast edhe kundër përfaqësuesve perëndimorë, ka theksuar Pollo. Në këtë drejtim ai ka pohuar se nga pjesa tjetër e opozitës Ilir Meta dhe Paskal Milo janë ata që bëjnë thirrje banorëve për të vijuar për aplikimin me karta të identitetit. U kërkojmë shefave të politikës, kudo që bëjnë takime, të sensibilizojnë qytetarët të aplikojnë dhe jo të tërhiqen para një procesi të tillë, siç është ai i pajisjes me karta të identitetit, ka vijuar Pollo ku i ka bërë thirrje edhe një herë të gjithë qytetarëve të marrin karta dhe pasaportat biometrike, të cilat janë rruga drejt lëvizjes së lirë të qytetarëve. Duke përmendur vlerësimin e marrë në Bruksel, ai ka nënvizuar se në 6 mujorin e parë të vitit tjetër, çdo qytetar do të shkoj pa problem jashtë vendit, pa paguar sekserë për vizë dhe pa pritur radhët e gjata për viza.