Baraj: Pa karta identiteti s‘mund të ketë zgjedhje
Kryetari i Partisë Socialiste në degën e Tiranës, Besnik Baraj, deklaroi dje se Kryeministri kërkon përfundimisht të gënjejë vetveten, opinionin publik dhe atë ndërkombëtar, përderisa quan sukses të qeverisë edhe disa radhë qytetarësh në Tiranë. Sipas tij, ende nuk ka asnjë plan për prodhimin e shpërndarjen në kohë të kartave të identitetit, për lehtësitë e domosdoshme që u duhen krijuar pensionistëve, të papunëve, të sëmurëve, bujqve, studentëve dhe të tjera kategorive që nuk përballojnë dot çmimin e kartave. "Sali Berisha duhet ta ketë të qartë që pa pajisjen me karta identiteti të të gjithë qytetarëve, nuk ka zgjedhje në Shqipëri", këmbënguli Baraj. PS-ja shpreh gatishmërinë për të ofruar planin që garanton sukses, ndërsa procesi pa plan i qeverisë konsiderohet i dështuar.