E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria, 600 lekë për studentët dhe 350 lekë për shtresat në nevojë

Qeveria përgjysmon për studentët tarifën e pajisjes me letërnjoftime dhe premton se do ta ulë këtë tarifë me 70% për pensionistët dhe shtresat në nevojë. Ndërkohë që çmimi real i kartës është 1200 lekë, të gjithë studentët do të kenë mundësi ta marrin atë kundrejt vlerës 600 lekë, ndërsa pensionistët apo shtresat në nevojë me çmim akoma më të lirë 350 lekë.

Kreu i ekzekutivit premtoi dje përpara ministrave të tij në mbledhjen e Komitetit të Integrimit, se qeveria do të krijojë mundësinë që studentët ta marrin letërnjoftimin me çmim të përgjysmuar, ndërkohë që për shtresat në nevojë kjo tarifë do të ulet me 70 për qind. Kryeministri përshëndeti qytetarët për interesimin e madh që kanë treguar që në ditën e parë të hapjes së procesit të regjistrimit për marrjen e letërnjoftimeve, si dhe i inkurajoi ata edhe më tej në këtë proces. "Përshëndes qytetarët për mençurinë dhe interesin e madh që po shfaqin për t‘u pajisur me këtë dokument, që është një kusht absolut për liberalizimin e heqjes së vizave. Nuk mund të bëhet fjalë që shqiptarët të lëvizin pa viza, nëse ata nuk janë të pajisur me dokumentet më të sigurta të identitetit të tyre", u shpreh Kryeministri. Duke iu referuar vizitës së tij në një nga qendrat e kryeqytetit që operon për pajisjen e qytetarëve me karta identiteti, Kryeministri siguroi se agjencitë përgjegjëse për këtë proces do të shqyrtojnë çdo ditë veprimtarinë e tyre, për ta përmirësuar akoma më tej këtë proces që ka nisur mbarë. Kryeministri theksoi më tej se, është e vërtetë që qeveria ka vendosur masa gjysmë detyruese dhe detyruese për pajisjen me këtë dokument, por këtë gjë e ka bërë në interesin më të mirë të qytetarëve dhe të vendit. Gjithashtu, Kryeministri u ndal edhe në tarifën për marrjen e këtij dokumenti, duke u shprehur: "Qeveria, me vendim qarkullues, do të përcaktojë tarifat e reja. Si fillim kemi ulur me mbi 30 për qind çmimin për marrjen e këtij dokumenti, kemi hequr TVSH-në e letrës. Pra, janë bërë disa hapa, por do të ndërmerren edhe hapa të tjerë ndaj atyre shtresave që janë më në nevojë. Studentët do ta marrin këtë kartë me çmim të përgjysmuar. Krahas tyre, edhe kategori të tjera do ta marrin me gjysmë çmimi, ndërsa familjeve me ndihmë ekonomike u takon ta marrin me rreth 30 për qind të çmimit, në një kohë kur çmimi real është 14-15 mijë lekë", nënvizoi Kryeministri. Kryeministri tha se ky dokument nuk mund dhe nuk duhet të shpërndahet falas, sepse kjo rrugë është mënyra më e sigurt për abuzivitet, por nga ana tjetër, ky është një çmim ndër më të ulëtit që mund të ketë praktikuar ndonjë vend. Në ditën e parë të aplikimit të qytetarëve për kartat e identitetit, Kryeministri Berisha u shpreh se pajisja me letërnjoftime është edhe kushti absolut për liberalizimin e regjimit të vizave me Bashkimin Evropian.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›