E Diel, 1 Nëntor 2026

Kartat, qytetarët "pushtojnë" minibashkitë

Orët e para të mëngjesit kanë nisur me plot njerëz dhe zhurmë si në sportelet e Postës Shqiptare, ashtu edhe në të njëmbëdhjetë njësitë bashkiake në kryeqytet. Tejet i madh ka qenë numri i personave që nxitonin të paguanin 1200 lekëshin për të aplikuar për një kartë identiteti. Njësia bashkiake numër 5 në Tiranë është më e madhja për nga numri i popullsisë, së cilës i ofron shërbime. Grumbulli i të interesuarve, në dyert e saj, për dokumentin e ri, ka qenë aq i madh sa është dashur ndërhyrja e policisë për të rivendosur rregullin dhe për të liruar sportelet e tjera të shërbimit për qytetarët.

"Më duhet të rikthehem në Greqi, ku punoj që prej 7 vitesh, por më parë duhet të marr kartën e identitetit këtu, se nuk i dihet kur mund të vij prapë", shprehet Nadirja, një mesogrua, që me faturën e pagesës në dorë pret me shpresë në radhën e gjatë të qytetarëve, të cilët janë ngritur që pa gdhirë për të "vulosur" një herë e mirë të dhënat e tyre personale në kartën e vogël, por të domosdoshme.

Shumë të moshuar qëndrojnë plot stoicizëm në dyert e njësisë bashkiake për të marrë dokumentin, ndërkohë që një pjesë e tyre has më tepër vështirësi në plotësimin e formularit, por edhe në lënien e shenjave të gishtërinjve, për shkak të moshës së thyer.

Kështu, puna që duhej të mbyllej për vetëm pak minuta në aplikimin e një personi është shndërruar në një ditë të vështirë të një procesi që sapo ka nisur.

Armand Teliti, drejtori i përgjithshëm i Gjendjes Civile, e konsideroi si një fillim të mbarë ditën e parë të aplikimit të shqiptarëve për kartat e identitetit. "Është fillim i mbarë, për shkak të dëshirës dhe gatishmërisë së qytetarëve për të marrë kartat e identitetit. Kjo shënon mbylljen e kalvarit të gjatë për të marrë certifikatat dhe shqiptarët do të prezantohen ndryshe në çdo vend të botës", u shpreh Teliti.

Ndërkohë që drejtuesit e njësive bashkiake në kryeqytet janë përballur me një seri pikëpyetjesh nga ana e banorëve të zonave të tyre, të cilave nuk kanë mundur që t‘u kthejnë dot përgjigje.

Jeta Seitaj, kryetare e njësisë bashkiake nr. 5, shprehet se për shkak të super dyndjes së njerëzve për kartat është bllokuar puna në sportelet e tjera të shërbimit të njësisë. "Nuk dimë akoma se si do të aplikojnë njerëzit e sëmurë që nuk mund të vijnë deri këtu", thotë Seitaj, duke shtuar se shqetësime janë krijuar edhe për emigrantët, të cilët e kanë kohën e qëndrimit të kufizuar". Kryetarja e njësisë 5 thekson se aktualisht nuk është bërë asnjë njoftim mbi dokumentacionin paraprak që duhet të kenë qytetarët për pajisjen me këto karta identiteti. Ajo ka liruar zyrën e saj për 7 specialistët e dërguar nga zyra e përgjithshme e gjendjes civile, nën varësi të Ministrisë së Brendshme. Njësitë bashkiake në këtë proces do të përfaqësohen vetëm nga drejtuesit e zyrave të gjendjes civile të zonës, të cilët punojnë përkrah specialistëve të ministrisë në pranimin e aplikimeve për kartat e identitetit. Ndërsa llogaritet se për rreth 80 mijë banorë që ka kjo zonë do të duhet që së paku brenda një dite të kryhen 400 aplikime. Por duket se karta e vogël elektronike do të shpëtojë shumë njerëz nga radhët e tjera për certifikata personale. Drejtori i përgjithshëm i gjendjes civile, deklaroi dje se "është shënuar fundi i radhëve për certifikata". Për sa i përket pajisjes me karta të emigrantëve, Teliti shpjegoi se për shkak të nevojës së prezencës së personit për të marrë shenjat e gishtave për t‘u pajisur me kartë duhet të pritet ardhja e emigrantëve për t‘i pajisur me karta identiteti. Por, edhe ditët në vijim duket se do të vazhdojnë të shënojnë një fluks shumë të madh të interesuarish për t‘u pajisur me këto karta identiteti. Punonjësit e administratës do të kenë orare të përcaktuara nga vetë institucionet, për t‘iu drejtuar zyrave të njësive bashkiake, me qëllim dorëzimin personal të gjeneraliteteve dhe më pas tërheqjen e kartave të përfunduara pas një afati dyjavor. Sipas qytetarëve, të cilët ditën e djeshme e shkuan në pritje të marrjes së këtij dokumenti, ajo që mbetet për t‘u përmirësuar është ritmi i aplikimeve. Kjo për shkak të numrit të lartë të banorëve që presin të pajisjen me këtë dokument, si dhe afatit të lënë nga qeveria për marrjen e tij.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›