E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Kartat? Qeveria duhet të sqarojë opinionin publik

Deputeti Dritan Prifti deklaroi dje se procesi i pajisjes me karta identiteti filloi me një mungesë të theksuar transparence, mungesë të theksuar të komunikimit me publikun, në lidhje me detajet e këtij procesi. Lëvizja Socialiste për Integrim i bëri thirrje qeverisë dhe kompanisë, e cila ka fituar koncesionin për dhënien e këtyre kartave të identitetit, të fillojë menjëherë sqarimin e opinionit publik dhe për dokumentacionin që duhet të shoqërojë procesin, të publikohen në media, por edhe në vende publike udhëzime të qarta për këtë proces. Gjithashtu, vijoi Prifti, ne i kërkojmë qeverisë, siç i kemi kërkuar edhe më parë, por edhe sot meqë është dita e parë që zhvillohet ky proces, të ofrojë kartat e identitetit falas, për disa shtresa të caktuara të popullsisë në Shqipëri. "Është e pamundur që emigrantët të lënë punën, shumë prej tyre nuk ka mundësi në lidhje me dokumentacionin, që të vijnë në Shqipëri dhe të bëjnë kartat e identitetit", konstatoi Prifti. Ai vlerësoi se kanë filluar që tani hamendësitë që mund të ketë diskriminim politik për dhënien e kartave të identitetit: ata që nuk votojnë për qeverinë mund t‘i vonohet karta dhe atyre që votojnë për qeverinë mund t‘i jepet karta më shpejt. "Ne nuk kemi prova për këtë që ditën e parë, por duhet të jemi shumë të vëmendshëm dhe ta monitorojmë këtë proces me mjaft kujdes, për mos të pasur diskriminime politike në procesin e dhënies së kartave të identitetit", tha Prifti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›