E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDS: Ftojmë Presidentin të mos e dekretojë ligjin për dosjet

Partia Demokracia Sociale i bëri dje thirrje kreut të shtetit të mos dekretojë ligjin për pastërtinë e figurave. Në një prononcim publik, sekretari politik i kësaj partie shprehu besimin se ligji ka përplasje themelore me Kushtetutën, duke cenuar në mënyrë të hapur lirinë e të drejtat e njeriut. "Dhe duke krijuar mundësinë e nisjes së një ‘gjuetie shtrigash‘ ndaj kundërshtarëve politikë apo institucioneve të pavarura nga qeveria", tha Duçkallari. Sipas tij, qeverisë i duhet të reflektojë edhe me qëndrimet partnerëve tanë euroatlantikë, si dhe të pranisë së OSBE-së në Tiranë dhe Këshillit të Evropës, lidhur me ligjin e dosjeve. Nga ana tjetër, PDS-ja shpreh shqetësimin e thellë për presionin që po tentohet të ushtrohet ndaj kreut të shtetit prej Kryeministrit Berisha dhe deputetëve të bindur të tij. Opozitarët mendojnë se për problemet e shumta që mbart ligji, i miratuar vetëm me votat e PD-së dhe të aleatëve të saj, mazhoranca i druhet vendimit të Presidentit dhe reagimeve ndërkombëtare. Vlerësohet se braktisja e delegacionit presidencial në Kosovë nga disa deputetë të Partisë Demokratike, mungesa e anëtarëve të qeverisë për të shoqëruar Presidentin dhe paralajmërimet publike kundër Bamir Topit, kanë qëllim të ndikojnë vendimmarrjen e Kreut të Shtetit. PDS mendon se Shqipëria ka mundësi të prodhojë një ligj të mirë për lustracionin, duke shfrytëzuar ekspertizën më të kualifikuar ligjore dhe mbledhur eksperiencat e vendeve të tjera, pa bërë deformime që synojnë goditjen e institucioneve apo njerëzve të caktuar. "Në një konflikt interesi të hapur me drejtësinë, Berisha dhe ministrat e tij kanë gjetur vetëm një rrugë për t‘i shpëtuar përballjes me ligjin: Goditjet ndaj gjykatave dhe organit të akuzës", këmbënguli Duçkallari.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›