"Spiunët", shpërthen Presidenti
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka thyer heshtjen, duke i kthyer përgjigje në mënyrë indirekte mazhorancës dhe lidershipit të saj për ligjin e dosjeve. Pas sulmeve të vazhdueshme nga ana e krerëve të PD-së, madje edhe të vetë Kryeministrit Berisha, Presidenti i Republikës, ka ngritur zërin duke bërë thirrje që të heshtin ata që nuk kanë moral për të mbrojtur të përndjekurit. Pas takimit me përfaqësues të dy shoqatave zyrtare të të përndjekurve dhe të dënuarve politikë, kreu i shtetit ka shfrytëzuar tryezën me ish-pronarët për të "shpërthyer" ndaj autorëve të sulmeve të njëpasnjëshme. Ky "shpërthim" i Presidentit, vjen vetëm pak ditë para daljes së dekretit të tij, për miratimin ose jo të ligjit të dosjeve, i cili është miratuar në Kuvend vetëm me votat e mazhorancës. Ligji ka gati 20 ditë që qëndron në tryezën e punës së Presidentit dhe presioni ndaj tij nga ana e mazhorancës për ta dekretuar sa më shpejt, ka qenë i përditshëm. Këtij presioni Presidenti ka vendosur dje t‘i japë një përgjigje: "Për pronat ashtu, si edhe në ligjin e dosjeve po flasin ata të cilët duhet të heshtin". Sipas Presidentit, po deformohet realiteti. "Kur njerëz që njihen me gisht si zaptues pronash sjellin nën akuzë pikërisht njerëzit dhe kontingjentin e njerëzve, që janë më të ndershëm. Keni parë kur them që çështja e pronave është shumë e ngjashme me çështjen e dosjeve të lustracionit. Njerëz, që mund të kenë qenë të lidhur në një mijë mënyra me regjimin, ngrihen dhe akuzojnë të tjerë që s‘kanë pasur asnjë lloj lidhjeje me regjimin", është shprehur kreu i shtetit. Duke e vijuar më tej deklaratën e tij në linjën e kritikës adresuar politikës, Topi ka deklaruar se "gjashtë muaj është sulmuar Presidenti për çështjen e një dekorate, që s‘kishte të bënte me vullnetin e Presidentit, një çështje totalisht sipërfaqësore, një dekorim totalisht i kthyer e i marrë në konsideratë për peshën e moralit kundrejt të përndjekurve politikë. Një procedurë e anuluar, e kthyer dhe sot fatmirësisht, edhe karshi kësaj çështjeje, jemi totalisht të pastër", theksoi kreu i shtetit, i cili vazhdoi më tej se ambienti nuk duhet të intoksikohet, nuk duhet të ndotet. Shqipëria më shumë se kurrë, sot është në prag të sfidave shumë të rëndësishme. Edhe nesër do dalin të flasin prapë. Edhe nesër do të dalin nëpër gazeta, do të dalin, do të mundohen ta deformojnë frymën e këtij takimi. Nuk ka rëndësi!Kur njerëzit nëpër pozicione janë korrektë, të gjitha gjërat shkojnë korrekt. Kështu që është e drejta juaj ta mbani gjallë edhe më shumë tërë këtë diskutim".
Takimi me të përndjekurit
Dje rreth mesditës, Presidenti i Republikës ka pritur në zyrën e tij, drejtuesit e Shoqatës Mbarëkombëtare për Integrimin e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë dhe të Këshillit Kombëtar të Shoqatës Antikomuniste Shqiptare. Drejtuesit e këtyre shoqatave, Tomorr Aliko, Adem Allci dhe Besim Ndregjoni, i kanë paraqitur Presidentit qëndrimet e tyre në lidhje me ligjin për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të zgjedhurve, që ka kaluar në Kuvendin e Shqipërisë dhe pritet të marrë firmën nga kreu i shtetit. Sipas zyrës së shtypit të Presidentit, ata kanë shprehur rezervat e tyre lidhur me nenin 4 të këtij ligji, i cili, sipas tyre, ka përjashtuar nga papajtueshmëritë e funksioneve publike kategori të tjera funksionarësh të lartë si ministrat, drejtuesit e institucioneve të tjera të larta politike apo shtetërore, sekretarët e partisë dhe zyrtarët e lartë të aparatit të Komitetit Qendror. Gjithashtu, drejtuesit e shoqatave janë shprehur për nevojën e zgjerimit të hapësirës së ligjit për pastërtinë e figurës së funksionarëve të administratës publike edhe për bashkëpunëtorët e agjenturave të huaja. Ndërsa Presidenti Topi, pasi i ka dëgjuar me shumë vëmendje shqetësimet e drejtuesve të të dy shoqatave, i ka falënderuar për mendimet dhe i ka siguruar për mbështetjen dhe përkrahjen e tij të plotë institucionale dhe njerëzore për këtë shtresë në drejtim të integrimit të saj në mbarë spektrin politik dhe shoqëror të vendit. Kreu i shtetit ka deklaruar se për ligjin e dosjeve po ndjek të gjitha procedurat ligjore që ia lejon Kushtetuta, po konsultohet me ekspert dhe po dëgjon përfaqësues të grupeve të interesit.