Baraj: “Pa pajisjen me karta identiteti të të gjithë qytetarëve, nuk ka zgjedhje në Shqipëri”
Kreu i PS-së së Tiranës, Besnik Baraj, ka artikuluar dje një “ultimatum” ndaj qeverisë, sipas të cilit, nëse brenda afatit nuk pajisen të gjithë qytetarët me dokumente identifikimi, zgjedhjet nuk do të zhvillohen. “Sali Berisha kërkon përfundimisht të gënjejë vetveten, opinionin publik dhe atë ndërkombëtar, përderisa quan sukses të qeverisë edhe disa radhë qytetarësh në Tiranë. Ndërkohë që ende nuk ka asnjë plan për prodhimin e shpërndarjen në kohë të kartave të identitetit, për lehtësitë e domosdoshme që u duhen krijuar pensionistëve, të papunëve, të sëmurëve, bujqve, studentëve e të tjera kategorive që nuk përballojnë dot çmimin e kartave. Ai ende nuk ka një plan për koordinimin e të gjithë aktorëve në këtë proces kaq të rëndësishëm për demokracinë. Sali Berisha duhet ta ketë të qartë që pa pajisjen me karta identiteti të të gjithë qytetarëve, nuk ka zgjedhje në Shqipëri. Ne jemi gati t'i ofrojmë planin tonë që garanton sukses, ndërkohë që procesi pa plan i qeverisë është i dështuar”, - tha Baraj.
13 Janar 2009